Strukturave paralele u skadon afati

Prishtina, Beogradi dhe Brukseli kërkojnë përgjegjësi nga njëri- tjetri për zbatimin e marrëveshjes së arritur. Megjithatë, strukturat paralele vazhdojnë ë papenguara në veri.

Lajme

01/10/2013 08:43

Dita e djeshme ka qenë afati i fundit për shpërndarjen e strukturave paralele të Serbisë që veprojnë tash e 14 vite brenda territorit të Kosovës.

Për këtë afat ishin pajtuar Prishtina dhe Beogradi, nën dorëzaninë e Brukselit, por strukturat paralele vazhdojnë të funksionojnë ende në pjesën veriore të Kosovës.

Kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri, fajin për këtë ia hedh Serbisë, kurse përgjegjësi po kërkon edhe nga Bashkimi Evropian.

“Përparimet në këtë drejtim, mendoj se duhet parë në relacion BE-Serbi, ku BE-ja duhet të kërkoj nga Serbia që të plotësoj obligimet e saja, dhe obligimet janë të tri palëve. Në këtë proces, shteti i Kosovës, shteti i Serbisë dhe Bashkimi Evropian si lehtësuese, të gjitha palët kanë obligim që të realizojnë të gjitha obligimet që dalin nga plani për zbatim i marrëveshjes”, thotë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.

Në zyrën e baroneshës Catherine Ashton, të hënën komentuan pak këtë thirrje të Prishtinës, pasi vlerësojnë se çështje kyçe mbetet zbatimi i marrëveshjes, e jo pengimi i saj.

“Ajo që mund të them është se zbatimi i marrëveshjes është kyç, dhe se ne jemi në kontakt me njërën dhe palën tjetër. Po punojmë në atë [drejtim] që zbatimi të vazhdojë. Kjo ishte çështje e diskutimeve, edhe javën e kaluar kur Baronesha Ashton takoi në Neë York, edhe presidentin Nikoliq dhe kryeministrin Thaçi”, tha Maja Kocijançiq për Radion Evropa e Lirë.

Kurse në Beograd, në zyrën e presidentit Tomislav Nikoliq thonë se fajtore është Prishtina, e cila nuk po i përmbahet zotimit të dhënë.

Marko Gjuriq, që këshillon presidentin e Serbisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Prishtina zyrtare nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë, ashtu siç e parasheh marrëveshja e 19 prillit.

“Dalja e vetme nga ky pat-pozicion, është ndalimi i pengesave, dhe zbatimi i plotë i asaj për të cilën jemi marr vesh, përfshirë edhe themelimin e Gjykatave Themelore dhe Prokurorive në vendbanimet me shumicë serbe, dhe zbatimi i plotë i ligjit për amnisti, dhe fillimi i punës në ndryshimin e akteve ligjore, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, thotë Gjuriq.