Strukturat e inkriminuara i hapin rrugë influencës ruse në Maqedoni

Ekspertët e sigurisë dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se Qeveria e re e Maqedonisë duhet të angazhohet në kthimin e vendit në binarë të sigurt të ecjes drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Lajme

21/05/2017 14:22

Në të kundërtën, qarqe të caktuara kriminale në vend, për të shpëtuar nga dhënia e përgjegjësisë, do të synojnë t’i hapin gjithnjë e më shumë shteg influencës ruse.

Këto komente vijnë pas qëndrimit të fundit të shprehur nga zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili paralajmëroi se Rusia ka rritur përpjekjet e saj për të ndikuar politikën në Ballkan, duke e cilësuar këtë si “ndikim malinj” të Rusisë.

Mersel Billalli, ish-këshilltar në kabinetin e presidentit të Maqedonisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se realisht orientimi i Maqedonisë kah Rusia, paraqet kalkulim nga ana e strukturave të caktuara për të shpëtuar nga përballja me drejtësinë.

“Realisht, orientimi i Maqedonisë kah Rusia, që bëhet i dukshëm kohën e fundit nuk ka qenë aq shumë emocional, apo ‘pansllavjan’ sesa do të thosha ka qenë kalkulim i strukturave të caktuara, që e humbin pushtetin që (vendi) të orientohet drejt Rusisë me regjim kuazidemokratik, të cilët mundësojnë sundim afatgjatë pa rezultate konkrete dhe procedura demokratike”, konsideron Billalli, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Njohësit e çështjeve të sigurisë thonë se shtrirja e kapitalit rus në Maqedoni ka të bëjë me mundësinë e shpëlarjes së parave.

“Meqë Maqedonia në kartën e institucioneve financiare është fokusuar si vend ku mund të shpëlahen paratë, në një situatë të tillë e dimë se Rusia, përkatësisht oligarkia atje është në kërkim të mundësive që paratë e dyshimta t’i shpëlajnë përmes mënyrave më të lehta, duke kërkuar shtete ku nuk funksionon shteti ligjor, përkatësisht institucionet janë të korruptuara”.

“Në këtë dimension, do ta shihja dhe faktin se përnjëherësh me të dalë në shesh kriza kriminale në Maqedoni, shohim një interes nga ana e Rusisë për të shtrirë influencën e saj. Kjo influencë nuk ka qenë e dukshme dy dekadat e fundit që nga pavarësia e Maqedonisë, megjithëse më duhet të theksoj se është shumë e natyrshme që forcat e mëdha në dëm të interesave të shtetit i cili ballafaqohet me problemin e kriminalitetit në institucione të bëjnë pazaret duke vënë në plan të parë interesat e tyre si superfuqi”, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Vlladimir Pivovarov, ish-zyrtar i Lartë i Shërbimeve Sekrete në Maqedoni.

Ndryshe, hulumtimi i realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në bashkëpunim me fondacionin “Konrad Adenauer” ka nxjerrë në pah se 26.2 për qind e qytetarëve të Maqedonisë konsiderojnë se Bashkimi Evropian do të ishte aleat më i mirë i jashtëm, përderisa vetëm një për qind më pak, përkatësisht 25 për qind e tyre, mendojnë se këtë rol do ta luante Rusia.

Në bazë të hulumtimit në fjalë, 17.5 për qind e qytetarëve parapëlqejnë Shtetet e Bashkuara, si aleate të Maqedonisë. /REL/