Strobe Talbot i quan “bizare” krahasimet e Kosovës me Krimenë

Strobe Talbott, i cili shërbeu si Zëvendës Sekretar Amerikan i Shtetit gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në administratën e Bill Clinton, e quajti këtë analogji si “bizare”. Ai u shpreh se paqja në Kosovë u arrit edhe me ndihmën e Presidentit të Rusisë.

Lajme

25/03/2014 23:39

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar përmendi “precedentin e mirënjohur të Kosovës” në justifikimin e aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Strobe Talbott, i cili shërbeu si Zëvendës Sekretar Amerikan i Shtetit gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në administratën e Bill Clinton, e quajti këtë analogji si “bizare”.

“Kjo nuk mund të jetë e vërtetë”, tha Talbott.

“Kosova, duhet ta kujtoni, ka qenë pjesë e Serbisë e dominuar nga muslimanët ku qeveria qendrore- e dominuar nga serbët- ishte duke kryer akte gjenocidi. Ata po bënin pastrim etnik, po masakronin njerëz”, tha Talbott në një intervistë në CNN për gazetaren e njohur amerikane Christiane Amanpour.

“Dhe si rezultat i kësaj, kishte një ndërhyrje ndërkombëtare, një ndërhyrje të armatosur, për t’i ndalur vrasjet”.

Talbot tha se pas pak viteve, në Kosovë u arrit paqja me ndihmën e Presidentit rus, Boris Yeltsin dhe më pas Kosova fitoi pavarësinë nga Serbia.

“(Kosova) Nuk ka kurrfarë ngjashmërie me rastin e Krimesë dhe Ukrainës”, tha Talbot.