Stres-testet e Kosovës

Fati nuk të përcjellë gjithnjë. Herët a vonë, ndodhë e keqja. Është e domosdoshme që si politikë, si shoqëri, të organizohemi dhe të funksionojmë krejtësisht ndryshe.

Opinion

25/07/2014 10:48

Me atë logjikën e moçme, të mësimeve të nxjerra nga pësimet, në demokracitë e fuqishme perëndimore, pas krizës së rëndë financiare të vitit 2008  (e tutje), për të parandaluar thellimin e kësaj krize që do ta kërcënonte me themel qëndrueshmërinë e shtetit të demokracisë liberale, është aplikuar i ashtuquajturi stres-testi për banka.

Stres-testi, siç dihet, aplikohet për pacientë potencial, në shëndetësi, për të parë, sa më mirë që është e mundur, gjendjen e një njeriu dhe rreziqet që ai i bartë brenda vetes për shëndetin e tij.

Stres-testi bankar në Perëndim ka qenë (dhe mbetet), i domosdoshëm, për të kuptuar qëndrueshmërinë e bankave të caktuara, rënia e të cilave do ta cenonte stabilitetin makro-financiar dhe do të çonte në situata të paparashikueshme.

Krahasimi imediat me Kosovën e këtij viti, nga ky pikëshikim, nuk është fare i keq. Kosova tutje gëzon një stabilitet makrofinanciar, stres-testi bankar do ta konfirmonte këtë konkludim, gjë që gjithsesi është lajm i mirë.

Por në muajt e fundit, në fakt, prej fillimit të këtij viti, shoqëria dhe politika kosovare po ecën prej një stres-testi tek tjetri, për të kuptuar, gjithnjë e më shumë, që këto teste sipërfaqësojnë të metat e shumta funksionale dhe organizative të Kosovës, të cilat ashtu së bashku, nëqoftëse dalin në shesh në të njëjtën kohë, mund të rrëzojnë për toke këtë vend.

Ta zëmë, ditën e mërkurë  (23 korrik), pasdite, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, për diku 45 minuta, u përballë me stres testin e quajtur funksionimi dhe organizimi i këtij qyteti në rast të një rrebeshi të madh të shiut.

Çfarë pamë në këtë pasdite?

Të gjitha, ama të gjitha rrugët e Prishtinës u shndërruan në lumenj. Konfirmimi: Prishtina ka një kanalizim të stërvjetëruar që nuk i përballon më shiut të këtyre përmasave.

Pastaj, pati probleme të mëdha me rrymë, në disa pjesë të kryeqytetit: Konfirmimi: Prishtina ka një rrjet të harxhuar të distribucionit, i cili paraqet rrezik për sigurinë e qytetarëve të saj.

Konkludimi kyç: Prishtina nuk mund të marrë notë kaluese në këtë stres test që na e solli një pasdite korriku. Sikur rrebeshi të zgjaste vetëm edhe 15-20 minuta, dëmet e kësaj dite do të ishin shumë më të mëdha. Nuk kemi çka të flasim sikur e tëra të vazhdonte edhe një orë, ta zëmë. E zhvillime të tilla klimatike, kemi pasë kohëve të fundit edhe në rajon dhe në Evropë. Kosova disi i shpëtoi asaj ujëvare qiellore.

Kështu është gjendja në Prishtinë. E kur është kështu në kryeqytetin e Kosovës, çka mund të flitet për vendbanimet e tjera?

Për t’iu shmangur skenarëve të këqij  (të mos përdoret ai klasifikimi i rëndomtë në këto raste, i skenarëve katastrofalë), do të duhej të bëhej një Plan i detajizuar, në bashkëpunim midis Qeverisë qendrore të vendit dhe asaj lokale të kryeqytetit, i cili me siguri bartë një kosto të madhe financiare, dhe që kërkon një angazhim disavjeçarë.

Aktualisht, nuk kemi Plan të këtillë, nuk kemi madje as vullnet për ta bërë, nuk kemi para. Në fakt, nuk kemi gjë prej gjëje.

Konkludimi kyç Nr.2: Çka u mbetet qytetarëve të Prishtinës dhe të Kosovës, gjithsesi edhe politikanëve të vendit, është lutja. Lutja drejtuar Zotit. Dhe prehja a ngushëllimi që këndejpari nuk mbahet në mend një mot i atillë që do ta bënte Prishtinën dhe Kosovën liqe. Ndërsa pak muaj më parë, një pjesë e madhe e Bosnjës, e Serbisë, dhe një pjesë e Kroacisë, u bënë së bashku Liqe i madh, më i madhi në këto anë të Evropës.

Kemi shpëtuar në të kaluarën e afërt, me fat, prej Gripit të derrave dhe atij të shpezëve, por ja që deri sivjet, për çdo vjet kemi pasë viktima të shumta prej rriqrave në anët e Malishevës.

Nuk kemi pësuar shumë as prej krizës financiare në Perëndim., sepse familjarët tonë, që  çdo vjet dërgojnë realisht, deri në një miliardë Euro në Kosovë, jetojnë në masë të madhe në shtetet që nuk janë përballë me këtë krizë. Nuk kemi çka të paramendojmë se çka do të ndodhte me këtë stabilitetin e brishtë social që kemi, sikur këto para do të përgjysmoheshin. Hiç më shumë.

Kemi pasë pra fat sa të duash, në të gjitha anët.

Por fati nuk të përcjellë gjithmonë. Herët a vonë, ndodhë e keqja.

Për këtë shkak, është e domosdoshme që si politikë, si shoqëri, të organizohemi dhe të funksionojmë ndryshe, krejtësisht ndryshe.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)