Strategjia e Energjisë synon të krijojë kushte për zhvillim ekonomik

Forumi i dytë i nivelit të lartë për energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” ka mbledhur të gjithë aktorët për të diskutuar mbi strategjinë e energjisë së Kosovës  dhe liberalizimin e tregut në mënyrë që institucionet përkatëse dhe të gjithë hisedarët e këtij sektori do të kenë mundësinë për të debatuar mbi çështjet aktuale me rëndësi për sektorin e energjisë.

Lajme

18/04/2017 13:25

Aty u theksua se sektori i energjisë është i një rëndësie të veçantë dhe duhet të bëhet në mënyrë të sigurt. Andaj Strategjia 2017-2026 e miratuar nga Qeveria siguron energji të sigurt dhe mjaftueshme, si dhe siguron investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë.

Në këtë forum gjithashtu u prezantuan sfidat kryesore të sektorit të energjisë, Strategjia e Energjisë, iniciativa për liberalizimin e tregut të energjisë dhe përpjekjet e vazhdueshme për integrimin e tregut.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u shpreh mirënjohës për mbështetjen që qeveria ka marrë nga partnerët ndërkombëtar duke ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë të cilën e konsiderojmë të rëndësisë së veçantë. Konsiderojmë se sa ka qenë e rëndësishme miratimi i kësaj, aq është i rëndësishëm edhe implementimi i saj, e cila do të jetë një prioritet”, tha Mustafa.

“Kosova ka nevojë të zhvillojë burimet e energjisë dhe duhet të fillojmë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, e cila do të krijojë kushte për zhvillim ekonomik dhe gjithashtu do të sigurojë investitorët që do të vijnë se nuk do të ketë probleme për furnizim me energji elektrike. Zhvillimi ekonomik është prioriteti jonë kryesor”,ka shtuar Mustafa.

“Do të sigurojmë edhe respektimin e plotë të kushteve ambientale, mirëpo për të siguruar këto ne kemi nevojë për mbështetje, të kemi ekspertiza në mënyrë që të krijojmë nxitje të zhvillimit. Ne përmes politikave ditore ekonomike të cilat kanë krijuar stabilitet makroekonomik dhe për këtë ne kemi vërtetuar se mund t’ia dalim dhe jemi një shtet që mund t’i sigurojmë investitorët që mund të vijnë dhe të tregojnë veten këtu”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Stavileci: Sektori i energjisë është i një rëndësie të veçantë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se lajm pozitiv që i paraprinë këtij forumi është miratimi i Strategjisë së Energjisë, e cila krijon një bazament për të ardhmen e energjisë.

Sipas tij, objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese.

“E para është që ka të bëjë me stabilitetin për furnizim, përballueshmëria e çmimeve. Të gjitha këto iniciativa nuk mund të bëhen vetëm nga një aktor, por këto do të mund të bëhen të mundura vetëm me integrimin e të gjithë hisedarëve të sektorit të energjisë”, ka thënë Stavileci.

“Sektori i energjisë është i një rëndësie të veçantë dhe ky duhet të bëhet në mënyrë të sigurt. Objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese, integrimi në tregut rajonal…”, ka thënë Stavileci.

Delawie: Liberalizimi i tregut të sjell tarifa të përshtatshme

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se nuk mund ta theksoi mjaftueshëm rëndësinë e diskutimeve për këtë sektor.

Ai theksoi se viti 2016 është një kthesë e rëndësishme në sektorin e energjisë.

“Shumë prej jush e mbani mend dimrin e para gjashtë vjetësh ku shumë shtëpi dhe biznese mbeteshin në terr. Sot jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Ky është një përparim i dukshëm, por edhe përkundër të arriturave ende paraqet një sfidë për furnizim stabil që bëhet përmes dy termocentraleve të vjetërsuara. Dhe dëshiroj që ShBA-ja do të jetë partneri juaj për t’iu mbështetur juve në hapat ku ju duhet të merrni vendime të vështira”, tha Delawie.

Ai u shpreh i lumtur që mbështesin Kosovën për të zhvilluar integrimin e energjisë së rëndësishme.

“Duhet të shohim zotim të qeverisë për zhvendosjen e banorëve që jetojnë afër mihjeve. Duam që liberalizimi i tregut të sjell tarifa të përshtatshme për energjinë”, tha Delawie.

Mantovanelli: Përgëzoj MZhE-në për hartimin e Strategjisë së Energjisë

Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se viti 2017 është me rëndësi kritike për Kosovën dhe sektorin e energjisë për shumë arsye.

“Jemi krenar që jemi partnerët e Kosovës për përpjekjet e saj në këtë drejtim dhe duam të përgëzojmë përpjekjet e qeverisë në veçanti ato të stafit nga MZhE-ja për hartimin e Strategjisë së Energjisë të cilën e konsiderojmë gjithëpërfshirëse, gjë që e kemi theksuar edhe më parë duke adresuar zgjidhje në aspekte të ndryshme të planit për realizimin për furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me energji elektrike në Kosovë”, tha Mantovanelli.

“Ne besojmë që kjo krijon një hapësirë të mirë për donatorët, jemi ne për të mbështetur në partneritet qeverinë në përpjekjet për të realizuar këtë strategji. Natyrisht se zbatimi vjen gjithmonë më i vështirë se sa dizajnimi ose përpilimi, por ne jemi të zotuar që të jemi partner në përpjekjet e zbatimit në veçanti duke punuar në aspekte më të hollësishme të cilat priten të dalin nga plani i veprimit”, tha Mantovanelli.

“Sidoqoftë ne jemi të kënaqur që qasja e qeverisë është gjithëpërfshirëse për shkak se përfshinë nevojën e pashmangshme për të konsideruar edhe aspektet e efiçiencës së energjisë dhe energjisë së ripërtërishme dhe që vë theks të konsiderueshëm edhe në integrimin e tregut në nivel rajonal”, shtoi ai.

Strategjia e energjisë së Kosovës është miratuar nga qeveria e Kosovës për vitet 2017-2026 dhe pritet që të aprovohet edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Arritja e synimeve është e bazuar në 5 objektiva të vendosura në dokumentin me të rëndësishëm për sektorin e energjisë, Strategjinë e Energjisë 2017-2026:

Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike dhe me kapacitete të nevojshme për një sistem stabil të energjisë elektrike; integrimi në Tregun Rajonal të Energjisë; rritja e kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja; zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror dhe plotësimi i caqeve dhe obligimeve në efiçiencë të energjisë; burime të ripërtërishme të energjisë dhe mbrojtje të mjedisit.