Strakosha cakton objektivin e Lazios në Evropë

Thomas Strakosha nuk i vendos limite vetes.

Sport

08/02/2018 15:21

Në sezonin e tij të parë si titullar, Thomas Strakosha nuk i vendos limite vetes. “Gardiani” kuqezi i Lazios, që ka arritur të kthehet në një pikë referimi në formacionin e Inzaghit, dëshiron me çdo kusht kualifikimin në UEFA Champions League.

Aktualisht bardhekaltërit renditen në vendin e tretë të Serie A, por frymëmarrja e Romës dhe Interit ndihet pas asaj humbjeje në “Olimpico” kundër Genoas.

Numri 1 i portës së kryeqytetasve gjithsesi sheh nga e ardhmja, duke theksuar se objektivi i tij personal, por edhe ai i klubit është rikthimi në Europën që vlen.

“Shpresoj ta mbyllim kampionatin në zonën Champions, për të marrë nga ky sezon atë që na takon”, – theksoi me bindje 22-vjeçari shqiptar gjatë një ceremonie me një klub tifozësh lokalë në Latina. Në vijim, Strakosha u ndal te rritja e tij e pabesueshme gjatë muajve të fundit, ku falë reflekseve të pastra ka arritur t’i sigurojë Lazios një numër të madh pikësh. “Merita kryesore për këtë shkon tek përgatitësi im Griggioni”, – shton numri 1 bardheklatër, që gjatë këtij sezoni mes Europës, Kupës dhe kampionatit numëron 23 ndeshje si titullar.

Aktualisht, përveç vendit të tretë, Lazio mbetet në garë për biletën e finales së Kupës së Italisë, ndërsa në 1/8-at e Europa League do të ndeshet në 180 minuta me Steauan e Bukureshtit.