Stoltenberg paralajmëron tensione mbi të ardhmen e NATO-s

Shefi i aleancës së NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se nuk është e sigurt nëse aleanca do të mbijetojë mes ndarjeve të thella midis SHBA-ve dhe Evropës.

Bota

19/06/2018 16:57

Për të përditshmen britanike “The Guardian”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se “retë politike të stuhisë” po vendosin një tendosje midis anëtarëve të NATO-s.

Stoltenberg u bëri thirrje drejtuesve të vendeve anëtare për të shmangur një shkatërrim katastrofik, duke thënë se “kur dallimet vazhdojnë, ne duhet të kufizojmë çdo ndikim negativ në bashkëpunimin tonë të sigurisë”.

“Meqenëse aleanca u krijua pothuajse 70 vjet më parë, njerëzit e Evropës dhe të Amerikës së Veriut kanë gëzuar një periudhë të pashembullt paqeje dhe prosperiteti. Por, në nivel politik, lidhjet që na lidhin janë nën tension”, shkroi Stoltenberg.

Sipas tij, ka dallime reale midis SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë lidhur me çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike dhe marrëveshja bërthamore e Iranit, transmeton Anadolu Agency.

“Këto mosmarrëveshje janë reale dhe nuk do të zhduken brenda natës. Në fakt, askund nuk është shkruar në gur se lidhja trans-atlantike do të lulëzojë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ndarja është e pashmangshme. Ne mund ta mbajmë atë dhe të gjitha përfitimet reciproke që nxjerrim prej saj”, theksoi shefi i aleancës.

Artikulli i Stoltenberg-ut vjen para takimit të muajt të ardhshëm të NATO-s dhe takimit të tij të së enjtes së ardhshme me kryeministren britanike, Theresa May.

Komentet e shefit të NATO-s pasuan një sulm verbal nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, mbi kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke mbrojtur politikën e qeverisë së tij për ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre në kufirin e SHBA-ve, duke thënë se SHBA nuk do të bëhet një “kamp migrantësh nën vëzhgimin tim”.

Në rrjetin social Twitter, Trump po ashtu pretendoi se “populli i Gjermanisë po kthehet kundër udhëheqjes së tyre, ndërsa emigrimi tashmë po lëkund koalicionin e tanishëm të Berlinit”.

Dje, kancelares Merkel iu dha një afat prej dy javësh nga partneri i saj ultra-konservator i koalicionit për të miratuar rregulla më të rrepta të migrimit dhe azilit në marrëveshje me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

Presidenti Trump në janar të vitit 2017 ashpër kritikoi NATO-n në një intervistë me të përditshmen gjermane Bild, duke e quajtur atë organizatë “të vjetërsuar”. Ai argumentoi se NATO kishte dështuar të trajtojë terrorizmin dhe sfidat e sotme.

“NATO kishte probleme. Numër një, ajo është vjetërsuar, sepse ishte, e dini, projektuar shumë shumë vite më parë. Numër dy, vendet nuk paguajnë atë që duhet të paguajnë”, tha Trump për Bild.

Një prag për të shpenzuar 2 për qind të prodhimit bruto të brendshëm deri në vitin 2024 është dakorduar nga të gjithë shtetet anëtare, një qëllim që ende duhet të arrihet nga të gjitha shtetet anëtare.

Stoltenberg vlerësoi SHBA-të nën drejtimin e presidentit Trump për angazhimin e saj për NATO-n, por gjithashtu vuri në dukje se shkurtimet në shpenzimet e mbrojtjes në mesin e aleatëve të NATO-s janë kthyer mbrapsht në të gjithë bordin.

“SHBA-të dhe Kanadaja po rrisin angazhimin e tyre për sigurinë e Evropës. Në fakt, që kur erdhi në detyrë, administrata e presidentit Trump ka rritur fondet për praninë amerikane në Evropë me 40 për qind”, shkroi Stoltenberg.

“Kjo nuk është një rrugë me një drejtim. Aleatët evropianë, me Britaninë e Madhe në pararojë, po rriten gjithashtu, duke shpenzuar miliarda më shumë për mbrojtjen dhe marrjen e përgjegjësisë për sigurinë euro-atlantike, së bashku me aleatët e tyre të Amerikës së Veriut”, shtoi Stoltenberg.

Stoltenberg poashtu ka theksuar se “është dhe gjithmonë ka qenë në interesin tonë themelor” për të qëndruar së bashku në mbrojtje, ndërsa kjo sipas tij është aq e vërtetë sa kurrë më parë.

“Sepse, ne ballafaqohemi me mjedisin më të paparashikuar të sigurisë në një brez… terrorizmi ndërkombëtar, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, sulmet kibernetike, si dhe natyrisht Rusia, që ka përdorur forcën kundër fqinjëve të saj, e cila përpiqet të ndërhyjë në punët tona të brendshme dhe e cila si duket nuk ka asnjë shqetësim në lidhje me përdorimin e agjentëve nervorë ushtarakë në rrugët tona. Arritjet tona krah për krah janë të pashembullta. Pra, për sa kohë që ne qëndrojmë së bashku, ajo gjithmonë do të udhëheqë në drejtimin e duhur, paqen dhe sigurinë për kombet dhe për gati një miliardë qytetarët tonë”, shkruan Stoltenberg.