Stoltenberg: NATO do të ofroj përkrahje për Kosovën edhe në të ardhmen

“Roli i NATO-s në Kosovë ishte jetik për popullin tonë në kohë lufte, kontributi i së cilës vazhdon edhe në ditët e sotme. Objektivi ynë kryesor strategjik mbetet aplikimi i plotë i standardeve të Bashkimit Evropian në rrugën tonë drejt procesit të integrimit në BE dhe përpjekjet për t’u bërë pjesë e Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë, NATO-s”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me Sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg në Nju Jork.

Lajme

26/09/2018 20:22

Situata politike dhe e sigurisë në vend dhe rajon, progresi i arritur në Kosovë, me theks të veçantë procesi i tranzicionit i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një forcë multietnike, profesionale dhe sipas standardeve të NATO-s, ishin disa nga temat e këtij takimi.

Kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Sekretarit Jens Stoltenberg dhe institucionit që ai drejton për procesin e tranzicionit të FSK-së në Ushtri, proces ky që do të kontribuonte në sigurinë më të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Haradinaj ka falënderuar Sekretarin Stoltenberg për bashkëpunimin e NATO-s dhe mbështetjen e vazhdueshme që po jep KFOR-i në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Institucionet dhe populli i Kosovës e vlerësojnë lartë rolin e NATO-s”, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se prezenca e NATO-s përmes KFOR-it në Kosovë është kontribut për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO do të ofroi përkrahje për Kosovën edhe në të ardhmen.

Takimi me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Haradinaj në Nju Jork.

Në këtë takim morën pjesë edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.