Stoltenberg mbi Maqedoninë: Secili vend ka të drejtë të zgjedhë rrugën e tij

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i pyetur rreth reagimit të Rusisë në rast të integrimit të Maqedonisë në NATO, tha se secili shtet sovran ka të drejtë të zgjedh rrugën e tij dhe se qëllimi i Rusisë për të kontrolluar shtetet nën sferën e saj të influencës është qasje në kundërshtim me NATO-n.

Lajme

26/04/2018 16:54

Këto komente i bëri para takimit njëditor të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që do të mbahet në Bruksel më 28 prill, për të diskutuar në lidhje me çështje si Rusia, Siria, marrëveshja bërthamore me Iranin dhe Ballkani Perëndimor

Stoltenberg tha se nja nga pikat kryesore të agjendës së takimit do të jetë sjellja e rrezikshme e Rusisë kohëve të fundit, duke shtuar se NATO-ja do të përgjigjet në unitet dhe me vendosmëri ndaj kësaj sjelljeje.

“Ende vazhdon qëndrimi kërcënues dhe ndërhyrës i Rusisë ndaj shteteve të NATO-s”, tha Stoltenberg, duke thënë se në takim do të diskutohet se çfarë masa mund të marrin ministrat e jashtëm në këtë drejtim, raporton Anadolu Agency.

Shefi i NATO-s tha se vazhdimi i dialogut me Rusinë ka rëndësi edhe më të madhe posaçërisht në periudhat e rritjes së tensioneve dhe informoi se janë duke u zhvilluar aktivitete për një takim të Këshillit NATO-Rusi.

Stoltenberg tha se edhe çështja e Ballkanit Pernëdimor do të aktualizohet në takim. Ai deklaroi se NATO-ja zhvillon politikë të dyerve të hapura dhe se do të diskutohet zhvillimet në lidhje me Maqedoninë, Bosnjë e Hercegovinën, Gjeorgjinë dhe Ukrainën, të cilat kanë aspirata për t’u anëtarësuar në Aleancë.