Stoltenberg: Dyert e NATO-s ende janë të hapura për vende të reja anëtare

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, në adresimin e tij në Shtëpinë Ligjvënëse të vendit, duke folur për rrugën e integrimit të Maqedonisë në Aleancën e NATO-s, deklaroi se para selisë së NATO-s ka ende vend për flamuj të rinj.

Lajme

18/01/2018 14:17

Duke veçuar Malin e Zi për të cilën tha se e ndjen si moment të rëndësishëm flamurin që për herë të parë u ngrit vitin e kaluar para selisë së NATO-s, Stoltenberg deklaroi: “Ka ende vend për më shumë flamuj para selisë së NATO-s. Vendet anëtare janë të impresionuara nga përkushtimi dhe entuziazmi juaj për t’u bashkuar me Aleancën, ndërsa NATO dëshiron që ju të keni sukses”.

Më tej, Stoltenberg vuri në dukje se NATO njeh entuziazmin dhe dëshiron që Maqedonia të ketë sukses në synimin e saj për t’u bërë anëtare e Aleancës. Ai po ashtu iu referua mosmarrëveshjes për emrin që Maqedonia e ka për më shumë se dy dekada me fqinjin e saj, Greqinë.

“Është mirë të jesh ambicioz, por është me rëndësi të jesh realist. Ka ende punë për t’u bërë. Kjo natyrisht nënkupton zgjidhjen e çështjes së emrit të vendit tuaj, kjo është një çështje shumë me rëndësi për këtë rajon dhe për vendin tuaj për një kohë të gjatë. Unë e përshëndes vullnetin e qeverisë suaj që ka treguar të zgjidhet kjo çështje gjatë takimit të djeshëm në kuadër të OKB-së në New York, që ishte një hap tjetër i rëndësishëm. Unë jam inkurajuar nga progresi juaj dhe unë ju nxis për mundësinë tuaj për të ecur përpara. Megjithatë, anëtarësimi në NATO është shumë më tepër se zgjidhja e çështjes së emrit”, deklaroi Stoltenberg.

Në fjalën e tij, Stoltenberg përshëndeti angazhimin e Qeverisë për reformat e mbrojtjes dhe rritjen e buxhetit të Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM).

“Dera e NATO-s është e hapur për anëtarë të rinj, por kalimi i pragut kërkon punë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se NATO do të mbështesë Maqedoninë në përpjekjet e saj për të përmirësuar edukimin e mbrojtjes dhe për të luftuar korrupsionin në sektorin e mbrojtjes.

Stoltenberg: Falënderohem për gjithçka që keni bërë në misionet e NATO-s në Afganistan

Stoltenberg kujtoi se për më shumë se 15 vjet, burrat dhe gratë e forcave ushtarake të kualifikuar të Maqedonisë ishin krah për krah me pjesëmarrësit e tyre ndërkombëtarë në misionet e NATO-s duke sjellë siguri dhe stabilitet në Afganistan.

“Falënderohem për gjithçka që vendi juaj ka bërë për të mbështetur sigurinë ndërkombëtare”, u shpreh Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se në vitin 2001 dhe 2002, NATO dha një kontribut të rëndësishëm në sigurinë e Maqedonisë, si dhe shtoi se NATO ende ka një rol këshillëdhënës në vend. Ai shtoi se NATO është aleanca më e suksesshme ushtarake në histori dhe se në Ballkanin Perëndimor janë të përfshirë më shumë se dy dekada.

“Ne jemi të përfshirë në Ballkanin Perëndimor gjatë më shumë se dy dekadave të fundit. Duam që ky rajon të jetë i avancuar, i qëndrueshëm dhe i sigurt. Ne duam që ky vend të jetë i sigurtë dhe i lirë”, tha Stoltenberg, duke shtuar se të gjithë miqtë e Aleancës së NATO-s mbështesin Maqedoninë në përpjekjet e saj për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje.

Duke kujtuar të drejtat dhe detyrimet e Traktatit të Washingtonit, ai tha se nënshkruesit shprehën angazhimin e tyre ndaj parimeve të demokracisë, vullnetit dhe sundimit të ligjit dhe theksoi se këto parime përcaktojnë se çfarë është NATO sot. “Prej këtu fuqishëm e përshëndes mbështetjen tuaj në rrugën drejt BE-së. Këtu po ashtu e përfshij anëtarësimin në NATO”, u shpreh ai.

“Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, hap i rëndësishëm për vendin”

Gjatë fjalës së tij, Stoltenberg kujtoi se vendet aspiruese duhet të tregojnë se ndajnë vlerat e NATO-s, duke shpjeguar se kjo do të thotë t’i përmbahen rrugës së reformave. Në lidhje me këtë, ai përshëndeti Qeverinë e Maqedonisë për reformat dhe për planin qeveritar 3-6-9.

Ai gjithashtu theksoi se miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Kuvend ishte hap i rëndësishëm për Maqedoninë. Shefi i NATO-s shtoi se transparenca, llogaridhënia, mbikëqyrja e shërbimeve të fshehta dhe siguria e reformës gjyqsore patjetër duhet të vazhdojnë.

“Shpresoj se do të shohim progres të ngjashëm në reformat me mediumet, zgjedhjet dhe financat e qeverisë. Të gjithë keni përgjegjësi. Jo vetëm ju që mbani ligje, jo vetëm të zbatoni reforma, por të bëni atë që ky vend të jetë i lirë, demokrat dhe vend që e respekton sundimin e ligjit”, porositi Stoltenberg.

Ai nënvizoi se roli i opozitës është i një rëndësie të veçantë në të gjitha proeset vendimtare, duke vënë në dukje edhe rolin esencial të luajtur nga shoqëria civile në ndihmën në reforma dhe në mbështetjen e përparimit të vendit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s iu referua edhe marrëdhënieve me fqinjët dhe marrëdhënieve të Maqedonisë me vendet e rajonit dhe më gjerë.

“Marrëdhëniet me fqinjët tuaj janë të rëndësishme, për të cilat anëtarët e NATO-s janë të impresionuar. Ju përgëzoj për ratifikimin e Marrëveshjes me Bullgarinë dhe ju inkurajoj që të vazhdoni këtë në marrëdhëniet në rajon”, tha ai.

Në fjalën e tij, Stoltenberg adresoi edhe ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, duke theksuar: “Ngjarjet në këtë ndërtesë, në prill të vitit të kaluar, në këtë sallë, më tronditën dhe ishte tronditje për të gjithë anëtarët e NATO-s. Megjithatë, ne jemi dukshëm të impresionuar nga ajo që kemi parë që nga ajo ditë e këndej. Unë dua të shpreh kënaqësinë time për atë që të gjithë keni bërë me formimin dhe krijimin e një kulture të re politike më gjithëpërfshirëse, një frymë, optimizëm dhe qëndrueshmëri të re”.

Më herët, Stoltenberg realizoi takime të ndara me presidentin Gjorge Ivanov, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, ministrin e Jashtëm Nikolla Dimitrov, ministren e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska, ndërsa pasdite do të pritet nga kryeminsitri Zoran Zaev, me të cilën do të adresohen në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kjo është vizita e parë e Stoltenbergut në Maqedoni, që ndodh në periudhën e zbatimit intensiv të reformave, negociatave të ripërtërira për emrin e Greqisë, si dhe në periudhën e pritjeve të zmadhuara që Maqedonia të fitojë mundësinë për t’u integruar në NATO.

Kujtojmë se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pas pothuajse katër vitesh vjen për vizitë në Maqedoni. Për herë të fundit një Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për vizitë në Maqedoni ishte në maj të vitit 2014. Në atë kohë, Anders Fogh Rasmussen arriti për vizitë lamtumirëse, gjatë përfundimit të mandatit të tij dhe u takua me krerët më të lartë shtetëror në vend.