Stina e pranverës: Kujdesi dhe këshillat ndaj alergjive

Periudha që favorizon më shumë shfaqjen dhe zhvillimin e sëmundjeve alergjike është periudha e fëmijërisë së hershme, periudhë shumë e rëndësishme për një pjesë të madhe të sëmundjeve kronike alergjike.

Lifestyle

12/03/2018 09:34

Ndërrimi i stinëve, luhatja e shpeshtë e temperaturave, plehrat ambientale dhe polenet duket se nxisin akoma më shumë alergjitë dhe problemet me rrugët e frymëmarrjes. Lodhje, teshtitje, stres dhe shumë herë paaftësi për t’u mbushur me frymë, përballë këtyre shqetësimeve shumëkush bëhet merak për problemet që po shfaqen në trupin e tij, teksa të tjerë edhe mund ta nënvleftësojnë për gjendje gripale. Por thjeshtimi i situatës jo gjithmonë është zgjidhje e problemit, pasi me kalimin e viteve, një pamundësi për t’u mbushur me frymë, teshtitje dhe skuqje lëkure mund të jenë shenjat paralajmëruese të një alergjie, për të cilën mjekia alergologe Mira Xhixha bën thirrje që të mos neglizhohen. Ajo shpjegon alergjitë dhe sëmundjet alergjike, kujdesi që duhet treguar dhe këshillat e domosdoshme.

Çfarë është alergjia dhe cila është periudha që e favorizon më shumë atë?

Alergjia dhe sëmundjet alergjike janë gjendje që vendosen në organizimin tonë, si pasojë e një lufte ndaj një armiku fals. Organizmi ynë nuk e toleron bashkëjetesën shkaktues apo sulmues, por është organizmi ynë që e konsideron të panjohur për të dhe fillon organizohet e specializohet për një luftë, e cila përfundon me dëmtim të vetvetes. Periudha që favorizon më shumë në shfaqjen dhe zhvillimin e sëmundjeve alergjike është periudha e fëmijërisë së hershme, është periudhë shumë e rëndësishme për një pjesë të madhe të sëmundjeve kronike alergjike.

Përse në këtë stinë ka më shumë persona që vuajnë nga alergjia?

Aktualisht ne jemi në sezonin e pranverës, ku për ne alergologët quhet ndryshe edhe sezoni i madh polenik, pasi në pranverë polenet e luleve me prejardhje nga bimë të ndryshme, janë më të shumta në numër, sasi, dhe me prejardhje nga shumë lloje bimësh dhe speciesh të ndryshme, e lidhur kjo me kushte të përshtatshme klimaterike që ofron ky sezon për rritjen dhe zhvillimin e bimësive. Gjatë sezoneve të tjera të vitit, polenet janë gjithashtu të pranishme por janë më të pakta dhe me përkatësi të ndryshme, për sa i përket prejardhjes së tyre karakteristike për bimësi të ndryshme.

Cilat janë shenjat kryesore që shfaq alergjia?

Shenjat kryesore që shfaq alergjia i hasim më shumë në aparatin e frymëmarrjes dhe të lëkurës, preken edhe inde të tjera të organizmit tonë por këto janë më të pakta dhe të rralla. Duke e nisur me sezonin që jemi, shqetësimet janë më shumë të vendosura në rrugët e sipërme të frymëmarrjes si rrufa dhe në rrugët e frymës brenda mushkërive, astma bronkiale. Shenjat e rrufës janë tipike, të tështitura të forta në grupe, kullim të ujshëm të hundëve, bllokim të tyre, lotim, kruarje dhe djegie të syve, kollë e thatë. Të tjera shenja janë shqetësime që vijnë nga rrugët e frymëmarrjes e vështirësuar në disa raste, kollë e fortë dhe e thatë, ndjenjë shtrëngimi në gjoks dhe në grykë. Këto shqetësime kryesore mund të jenë të grupuara te një person, por mund t’i gjejmë dhe të veçuara, pra të shfaqet qoftë edhe vetëm me një shenjë të vetme, p.sh. kollë e thatë në formë krize apo e vazhdueshme, bllokim të hundëve, e pashoqëruar me simptoma të tjera.

Si dallohet një grip i zakonshëm nga një alergji?

Për sa i përket gripit, dallimi është shumë i qartë dhe i dukshëm. Në sëmundjen e gripit do të kemi temperaturë të lartë mbi 38 gradë, dhembje koke, dobësi të përgjithshme trupore, dhimbje të muskujve, kockave, këputje, mungesë të theksuar oreksi. Këto shenja që i përkasin virozëve zgjasin pak në kohë, deri në një javë kur nuk komplikohen dhe më shumë në raste pasojash apo ndërlikimesh.

Si zhvillohen sëmundjet alergjike dhe deri ku mund të shkojnë komplikacionet e tyre?

Shenjat fillestare vijnë nga rrufa dhe astma, por mund të jenë të shfaqura vetëm në lëkurë si skuqje dhe kruarje në pjesët e zbuluara që bien në kontakt me ajrin. Në qoftë se simptomat shfaqen për herë të parë te një person dhe ai kërkon ndihmë mjekësore diagnostikohet dhe mjekohet në mënyrë të specializuar atëherë do të ndalet zhvillimi i mëtejshëm i alergjisë së sapo ka filluar. Në rast të kundërt, të pamjekuar dhe të padiagnostikuar alergjia që është vendosur në një shkallë të lehtë fillon dhe pasohet nga një gradë më e rëndë dhe me shfaqje të tjera alergjike gjithashtu në pjesën tjetër të aparatit të frymëmarrjes, astmës bronkiale, që në shumicën e rasteve është proces alergjik në bronke, e cila ka vijuar nga alergjia e vendosur në katet e mësipërme të rrugëve të ajrit. Por komplikacionet i hasim edhe në afërsi si sinuzite, qoftë alergjike apo infeksione, otite, tonsilite apo dhe kavitete dentare.

A janë të rrezikshme reaksionet që shkaktojnë alergjitë dhe si veprohet në raste të tilla?

Alergjitë mund të shfaqin edhe reaksione të rënda që rrezikojnë jetën, këto reaksione zakonisht nuk hasen tek alergjitë e pranverës, por në raste shumë të veçanta mund të ndodhin edhe këto. Reaksione të rënda shkaktohen më shpesh nga alergjitë që vijnë nga pickimi i insekteve apo dhe një krizë astme e fortë bëhet shkaktare e një reaksioni të rëndë që mund të rrezikojë dhe jetën.

A ka faktorë të tjerë që ndikojnë në zhvillimin e një alergjie?

Për të vendosur një alergji e caktuar në organizëm është e rëndësishme ana gjenetike, të cilën ne nuk mund ta ndryshojmë. Ekzistenca e shkaktarit në ambientin ku jetojmë dhe mundësia e ekspozimit ndaj tij. Dy këto të fundit janë të influencuara nga kushtet dhe faktorët e ndryshëm të mjedisit ku jetojmë apo gjendemi. Faktorët ambientalë më të akuzuar sot në drejtim të shfaqjes dhe rëndimit të alergjive dhe sëmundjeve alergjike janë ndotja e mjedisit, nga djegia e hidrokarbureve, grimcat inerte, ozoni, tymi i duhanit dhe duhanpirja, mënyra e jetesës dhe llojet e ushqimit. Faktorë ndikues janë edhe kushtet e banimit, ventilimi dhe ngrohja, shtatzënia dhe mënyra e rritjes së fëmijës të lidhura me shumë me ambientin dhe me ajrin. Futja e shumë substancave kimike për përkujdesin personal, rënia e aktivitetit fizik dhe stresi.

Si mund t’i parandalojmë alergjitë?

Parandalimi i sëmundjeve alergjike është i rekomanduar në nivele të ndryshme. E para fokusohet te parandalime në popullatë dhe së dyti, për individë në veçanti që rrezikojnë për të bërë sëmundje alergjike. Teksa së treti, për individët që kanë zhvilluar sëmundje alergjike. Për dy nivelet e fundit ka masa dhe rekomandime që jepen nga alergologët, duke ju përshtatur llojit të alergjisë, personit dhe shkallës së sëmundjes alergjike. Sa i përket parandalimit rekomandohet kujdes për mënyrën e jetesës, sikurse është ulja e nivelit të ndotjes së ajrit, shmangia e tymit të duhanit në ambiente të mbyllura dhe sigurisht mospirja e tij, konsumimi i ushqimeve të pastra dhe natyrale, sa më të freskëta, evitim të ushqimeve të konservuara dhe të përpunuara të gatshme dhe gjysmë të gatshme, evitimi i përdorimit të shumë kimikateve për kujdesin personal dhe pastrimin e mbetjeve të brendshme, ventilimi natyral i banesës, aktiviteti fizik dhe jeta aktive.

A jemi të gjithë të rrezikuar prej tyre?

Çdonjëri nga ne mund të përjetojë njëherë në jetë një reaksion të lehtë alergjik nga shkaktarë të ndryshëm të njohur apo të paidentifikuar, gjë e cila mund të zgjasë disa orë, ditë apo javë. Alergjitë dhe sëmundjet alergjike janë të përhapura. Alergjitë dhe sëmundjet alergjike janë të përhapura në 30-40 vitet e fundit dhe për shfaqjen e tyre janë të nevojshëm faktorët gjenetikë dhe ambiental, të cilët ndikojnë në mënyra të ndryshme. Në këto katër dekada faktorët ambientalë kanë pasur rëndësi disa herë më të madhe në ndikimin e kësaj sëmundshmërie.

Në cilat raste një alergji kalon në krizë nervore dhe si ndodh kjo gjë?

Shumë sëmundje alergjike qoftë akute apo kronike mund të ndikojnë në mirëqenien emocionale dhe nervore në mënyra të ndryshme në personat që i përjetojnë këto sëmundje, mund të hasen me gjendje ankthi dhe shenja depresioni që shoqërojnë të sëmurët me rrufë alergjike dhe astmë bronkiale dhe urtikarie, ekzema dhe dermatite alergjike. Nga mënyra e shfaqjes së tyre të menjëhershme dhe një kronicizimi i gjendjes, prishja e cilësisë së jetesës, do të ndikojnë në dobësi të performancës dhe të produktivitetit në punë dhe shkollë.

A është e vërtetë që alergjia nuk shërohet kurrë dhe nëse vuan prej saj kjo do të zgjasë gjithë jetën?

Ka lloje të ndryshme të alergjive dhe lloje të ndryshme të sëmundjeve që shfaqen prej tyre. Disa alergji shërohen shumë shpejt dhe garantohet shërimi në qoftë se do ishte e mundur evitimi i plotë i shkaktarit të identifikuar, në mënyrë të saktë. Ka disa alergji, të cilët edhe pse është identifikuar shkaktari, ato nuk mund të shërohen pasi është e pamundur evitimi apo asgjësimi i ekspozimit ndaj tyre. Këtu futen shumë shkaktarë që ndodhen në ajër, qoftë në mjediset e brendshme dhe në ajrin e hapur, për kurimin dhe kontrollin e sëmundjes nevojiten mjekime afatgjatë. Gjithnjë në bazë të gjendjes së shfaqur dhe në mënyrë të individualizuar. Alergjitë e sezonit aktual kanë avantazh pasi mjekimi specifik i tyre do të parandalojë vendosjen e astmës bronkiale në shumicën e rasteve dhe shërimin e simptomave të shfaqura por kjo nuk garantohet për gjithë jetën, parandalimi i astmës bronkiale në këto raste apo eliminim i saj qoftë edhe për disa vite është një përfitim i madh dhe përparësi e këtij mjekimi specifik që rekomandohet dhe monitorohet në të gjitha rastet pa përjashtim nga mjeku alergolog. Të parandalosh astmën do të thotë të luftosh një sëmundje që është e vështirë të mbahet nën kontroll në shumicën e tyre dhe që ka një kosto të lartë afatshkurtër dhe afatgjatë, individuale dhe shoqërore.