Stërmundimi i politikës kosovare

Në Konferencën e Rambouilletit dhe në Procesin e Vjenës, interesi jonë nacional u artikulua më së miri falë unitetit politik dhe rolit të SHBA-së. Por tani jemi shtet. Kjo detyrë na takon neve.

Opinion

21/06/2018 13:46

Nëse do të kërkohej kryetipari apo kryeveçoria e politikës kosovare, tash e sa vjet, ajo do të ishte që këtupari, gjithçka shkon a bëhet me zor, me stërmundim, me rezistencë të madhe. Edhe hapat dhe veprimet më të zakonshme, edhe vendimet më të domosdoshme, mirren me përpjekje të madhe, në të shumtën e rasteve, realisht, nën presionin e kohës, apo të vetë qytetarëve të Kosovës.

Kjo politika kosovare i ngjet një vrapimi prej dhjetë kilometrash në atletikë, duke pasë në shpinë një çantë ku gjinden gurë me peshë prej njëzet kilogramë a më shumë. Natyrisht, vrapuesi detyrohet shpesh të ndalet, të pushojë e të merr frymë. Në variantin më të mirë, dikur edhe to të mbërri në cak. Në atë të keqin, ai do të rrëzohet diku në shteg.

Bota ka ndryshuar me ka krejt. Mjafton që vetëm për disa ditë të përcjellen stacionet më të njohura televizive ndërkombëtare, për ta marrë vesh këtë fakt. Në mënyrën më brutale të mundshme. Bashkimi Evropian sot, objektivisht, nuk e ka as gjysmën e vlerës politike dhe diplomatike që e ka pasë para dhjetë viteve, kur Kosova u bë shtet i pavarur. Ballkani Perëndimor u kthye në vëmendjen e Brukselit dhe Washingtonit, më shumë falë përzierjes së vazhdueshme të Rusisë, se sa në vijim të një stratgjie afatgjatë. Marrëveshja e fundit, njëmend historike, në mes të Shkupit dhe Athinës për emrin e Maqedonisë, është para se të gjithash merita e dy Kryeministrave, e jo e Brukselit. Pra, në çdo variant, për shkak të rrethanave ndërkombëtare, hapërimi politik i Kosovës si shtet, dhe i autoriteteve qendrore të saja, gjithsesi do të ishte i rëndë, i ndërlikuar, edhe poqëse këtu do të kishim Qeveri të llojit të asaj të Gjermanisë.

Megjithatë, ne jemi përpjekur me sukses të madh që t’i kontribojmë shtimit të kësaj barre të rëndë politike në mënyrën se si i kemi trajtuar çështjet kryesore të cilat me një zë, jemi në gjendje t’i klasifikojmë si tema të interesit nacional. Natyrisht, veprimet dhe vendimet që mirren me zor, me vonesa të mëdha, pos që asnjëherë nuk e kanë atë vlerën që kanë mundur ta kenë, poashtu, mund ta humbin edhe një momentum shumë të rëndësishëm historik. Kur para dy vitesh u hap perspektiva e liberalizimit të vizave për katër shtete (Kosova, Gjeorgjia, Ukraina dhe Turqia), sikur Kuvendi i Kosovës ta ndërmerrte atë aktin kapital të Ratifikimit të Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, së paku tash e një vit, në mos edhe më herët, ne do të udhëtonim pa viza në Evropë. Rrethanat në ndërkohë kanë ndryshuar për të keq në BE. Ne akoma i kemi gjasat që të mbërrimë në këmbë në fund të kësaj maratonte tetëvjeçare për ta merituar liberalizimin e vizave, por s’do mend që tani është më vështirë se sa që ka qenë para dy viteve.

Vendimmarrja në politikë është çelësi i funksionimit të saj. Në demokraci, ajo është e kodifikuar qartë, njeh legjitimitetin e pushtetit dhe legalitetin kushtetues dhe ligjor. Por ja që tek ne, tash e sa vjet, është shumë më e fortë politika e ditës, e cila mbizotërohet nga inatet dhe mosdurimet e të gjitha llojeve, nga vlerësimet e vazhdueshme të biografive të personaliteteve të ndryshme, se sa politika që njeh institucionet e këtij shteti, dhe mekanizmat vendimmarrës të tij. Kuvendi tash e sa kohë është bërë një cirk me interpelanca të të gjitha llojeve, dhe debate të pafundme. Tryezat e rrumbullakëta, të cilat u instaluan kohëve të fundit, natyrisht që janë më të mira se përplasjet me gaz lotësjellës, me britma dhe piskama në Kuvend, por ato mund të kenë kuptim vetëm nëse ndodhë harmonizimi i një Agjende politike që do të vlente për të gjithë skenën politike. Të tilla si janë tani, këto tryeza janë të kota.

Natyrisht, me këtë atmosferë mbizotëruese politike në vend, duket si mision i pamundur që politika kosovare të gjejë dijen, forcën dhe maturinë, për tu bërë bashkë në fazën finale të dialogut me Serbinë, që pritet të fillojë këto ditë.

Në dy raste, si në Konferencën e Rambouilletit, ashtu edhe në Procesin e Vjenës, interesi jonë nacional u artikulua dhe u mbrojt në mënyrën më të mirë të mundshme, falë unitetit politik, në krijimin e të cilit SHBA-ja pati rol vendimtar.

Po tani jemi shtet. Kjo detyrë na takon neve.