Stema e shtetit kthehet në fletëvotime

Stema e shtetit të Republikës së Kosovës me hartë dhe me gjashtë yje pritet të kthehet në fletëvotim për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit, pasi e njëjta ishte hequr për zgjedhjet e lokale të vitit të kaluar, derisa në fletëvotim shihej vetëm logo e KQZ-së.

Lajme

15/05/2014 10:46

Asokohe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë në presion të madh për shkak të kërkesave që fletëvotimi të mos përmbajë elemente të shtetit.

Shkas për këtë ishte bërë kushtëzimi i serbëve të katër komunave veriore, të cilët kërkonin që nëse dalin në zgjedhje, fletëvotimet të jenë neutrale pa përmbajtje të simboleve shtetërore, në të kundërtën ata kërcënonin se nuk do të marrin pjesë fare në zgjedhje.

Për këtë çështje vitin e kaluar ishte bërë debat i madh mes partive në njërën anë dhe komunitetit ndërkombëtar në anën tjetër, i cili insistonte që kjo kërkesë e serbëve të realizohet, pasi qëllimi i tyre ishte dalja e serbëve në zgjedhje në numër sa më të madh.

Madje kjo temë ishte hapur edhe në grupet punuese mes Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e Brukselit dhe paraprakisht pala kosovare ishte pajtuar me një kërkesë të tillë.

Sidoqoftë pasi kanë kaluar disa muaj që nga ajo kohë, KQZ pritet që këto ditë të gjendet sërish para një sprove të re për çështjen e dizajnit të fletëvotimeve.

Burime të gazetës Tribuna brenda këtij institucioni kanë bërë me dije se stema e shtetit të Kosovës do të jetë e shtypur në fletëvotim për këto zgjedhje parlamentare.