Stefanoviq: Nëse Haradinaj vjen në Serbi asgjë nuk do ta mbronte nga arrestimi

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se asnjë protokoll nuk mund ta mbroj kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj nga arrestimi nëse ky i fundit viziton Serbinë.

Lajme

30/04/2018 09:32

Duke komentuar deklaratën e Haradinajt se është i gatshëm për të vizituar Medvegjën dhe se vizita e tij do të bëhej me protokoll dhe me leje të autoriteteve serbe, Stefanoviq ka thënë se Haradinaj e ka vendin vetëm në burg.

“Gjykatat tona e kërkojnë Haradinajn për krime të rënda dhe nuk ka protokolle që mund ta mbrojnë atë”, është shprehur Stefanoviq, përcjell lajmi.net.

Ai ka theksuar se Haradinaj figuron edhe në listën e Interpolit dhe nuk do ta kursejnë asnjëherë.

Javën e kaluar kryeministri është ftuar të marrë pjesë në manifestimin tradicional ‘Takimet e Vendlindjes 2018’ në Medvegjë.

Ndërkohë të shtunën, këshilltari i tij, Avni Arifi i ka thënë lajmi.net se Haradinaj nuk do të jetë pjesë e këtij manifestimi. “Nuk ka bërë kërkesë e as nuk e ka planifikuar”, ka thënë Arifi./Lajmi.net/