Stavileci vlerëson kontributin e punëtorëve të KEK-ut

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka vlerësuar lartë punën vetëmohuese të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), që në këto ditë të ftohta me temperatura tepër të ulëta, arritën të mbajnë stabil gjenerimin e energjisë, respektivisht furnizimin me energji për qytetarët e Kosovës.

Lajme

14/01/2017 13:58

Këto komente Ministri Stavileci i bëri sot gjatë vizitës që i bëri TC Kosova A dhe TC Kosova B, gjatë së cilës bashkëbisedoi me punëtorë të kësaj korporate dhe u njoh për së afërmi me sfidat me të cilat u ballafaquan gjatë këtyre ditëve.

Stavileci falënderoi ata për përkushtimin e tyre për tu përballuar me gjendjen e krijuar si pasojë e motit të keq thuhet në komunikatën e MZHE-së.

“Ndryshe nga herët e tjera, sot kemi ardhur në vizitë në TC Kosova A dhe TC Kosova B me të vetmin qëllim që t’i vizitojmë dhe të shohim nga afër punën e madhe që janë duke bërë punëtorët dhe menaxhmenti i KEK në këto ditë të vështira dimri, por atipike për sa i takon temperaturave të ulëta, një i ftohti dhe acari siberik”, tha Stavileci.

Kreu i MZHE-së nënvizoi se falë angazhimit të madh të punëtorëve dhe vetëmohimit të tyre, është arritur që në të dy termocentralet të mbahet prodhimin në nivel, që të mos ketë shkëputje dhe probleme, sado që në këto temperatura gjithçka do të ishte e pritshme.

Stavileci tha se ka pasur edhe vështirësi, që është krejt normale, por mbi të gjitha duhet vënë në pah një heroizëm pune, guxim dhe profesionalizëm që kanë dëshmuar të gjithë. / Lajmi.net/