Stavileci: Kapitali njerëzor dhe inovacioni, promotorë të ekonomisë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci ka vlerësuar se inovacioni është faktori kryesor i ndryshimeve të ritmit të zhvillimit ekonomik në vend, prandaj të gjitha institucionet duhet të orientohen drejt mobilizimit të kapitalit njerëzor në këtë fushë.

Lajme

26/01/2017 16:12

Këto komente Stavileci i bëri sot në tryezën me temë “Inovacioni dhe Rritja Ekonomike”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ku u prezantua edhe anketa me biznese për inovacionin.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përfshirë në agjendë krijimin e një fondi me anë të së cilit do të financohen bizneset e reja dhe ato ekzistuese si dhe bizneset e orientuara në eksport duke shtuar se Kosova në një të ardhme afatmesme duhet të ketë edhe Ministrinë e Inovacionit”, tha Stavileci, thuhet në komunikatën e MZHE-së.

Më tej Stavileci ka prezantuar faktorët e brendshëm që ndikojnë në zhvillimin e teknologjinë informative në Kosovë (TIK), si fushën kryesore në kuadër të inovacionit, respektivisht si promotor i zhvillimit ekonomik.

“Pesë faktorët të cilët mund të zhvillojnë TIK-un në Kosovë: E para është se 34 për qind e qytetarëve të Kosovës janë nën moshën 18 vjeçare; pika dytë është adoptueshmëria në teknologji të informacionit; e treta është njohja e gjuhëve të huaj si të domosdoshme ( gjuha angleze dhe gjuha gjermane); pika e katërt është  shmangia e shkollimit konvencional dhe orientimi drejt aftësimit të shpejtë profesional që bazohet në kreativitet, dije dhe guxim dhe pika e pestë, por jo më pak e veçantë që shkakton barriera tek ne është liberalizimi i vizave”, ka thënë Stavileci.

Era Jashari, Zyrtare për Marrëdhënie me Qeverinë tha se inovacioni mbi të gjitha përfshin procese të reja, sisteme të reja të biznesit e metoda të reja të menaxhimit, të cilat kanë një ndikim të rëndësishëm në rritje të produktivitet e rrjedhimisht në zhvillim ekonomik.

Ndërsa, Vanesa Gashi nga Zyra për Komunikime e OEAK prezantoi të gjeturat e anketës mbi inovacionin, të kryer me anëtarët e Odës Amerikane. Sipas këtij anketimi 67% e bizneseve janë të vetëdijshme për të mirat që i sjell inovacioni në drejtim të zhvillimit të bizneseve të tyre dhe vetëm 52% prej këtyre bizneseve kanë buxhet të ndarë që e konsiderojnë si të mjaftueshëm për të investuar në inovacion.

Përfaqësues të kompanive të kësaj fushe kanë vënë në dukje në Kosovë ka vende të lira të punës, por mungesa e njerëzve të kualifikuar profesionalisht paraqet problem kyç në punësim./Lajmi.net/