Statusi dhe fushatat e dështuara për të

Holanda është një vend normal evropian, e cila nuk bindet se dosja jonë meriton një “po” si vend kandidat dhe kaq.

Opinion

14/12/2013 07:52

Shqipëria duket do ta humbasë shansin të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, pas një vetoje holandeze.

Ka shumë pikëpyetje dhe zemërim përse do të na pengojë vetëm Holanda, dhe pse ajo kërkon të shikojë gjëra që nuk i shikon pjesa tjetër e Evropës, përfshi Parlamentin Evropian, por këto nuk e shtyjnë më problemin drejt zgjidhjes.

Holanda është një vend normal evropian, e cila nuk bindet se dosja jonë meriton një “po” si vend kandidat dhe kaq.

Problemi që ne kemi krijuar vetë me marrjen e statusit është se e kemi kërkuar atë me fushata dhe jo përmes një procesi normal zhvillimi, që do na çonte tek një bilanc real evropian në Shqipëri.

Shembulli i parë i fushatës për statusin, ka qenë modeli i të kërkuarit të statusit për vend kandidat, ai vrapimi me dosje nën sqetull i Sali Berishës në prill të vitit 2009 në Çeki, kur vet Brukseli i rekomandoi të mos e dorëzonin kërkesën. Atë që Berishës nuk ia pranonte Evropa, ai mendoi ta tejkalonte me pazare personale, duke u shitur çekëve energjinë elektrike, duke u blerë francezëve disa helikopterë, duke i dhënë grekëve disa hektarë det. Dhe kështu u duk se e përçau Evropën në qëndrimin ndaj nesh.

Perceptimi i përgjithshëm ishte se ne po e bënim kërkesën meqë kishim fushatë, dhe për të na fyer deri në fund, Brukseli nuk denjoi as ta merrte dhe ta hapte zarfin, pa kaluar gjashtë muaj.

Pasi zarfi u hap dhe u bë një paketë rekomandimesh teknike, Shqipëria pasi dështoi tre herë rresht në marrjen e një Po-je, arriti vitin e kaluar të marrë një miratim me kusht për statusin, që u duk se do t’i hapte rrugën Po-së përfundimtare. Kushti teknik që u vu, ishin ligjet e paketës dhe ato u realizuan para zgjedhjeve.

Edhe ai perceptim ishte sërish një perceptim elektoral. Evropa duket se po na shikonte se ne kishim katër vjet që na duhej statusi jo për vete, por për zgjedhjet. U bë një fushatë qesharake gati staliniste në aspektin e diferencimit pro dhe kundër ligjeve për statusin, aq sa Jozefina arriti të rreshtojë gazetarë, intelektualë, nëpunës dhe shoferë në peticione publike kundër atyre, që sipas saj, donin ta pengonin statusin.

Ligjet u votuan, dhe më pas dhe zgjedhjet përfunduan me sukses pasi prodhuan rrotacion politik. Kur statusi dukej i sigurt,  kemi një rrufe në qiell të pastër që vjen nga një vend i ftohtë evropian, i cili nuk ngazëllehet nga ethet tona elektorale dhe as nga nevoja që kemi për t’u dukur evropianë. Dosjet që rrinë në tavolinat e diplomatëve holandezë, tregojnë se vendi është i mbytur nga korrupsioni, se ndëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë është zero, se vrasësit e 21 Janarit nuk janë dënuar, se liria ekonomike dhe ajo e medias është problematike dhe hezitojnë të na thonë “mirëserdhët”.

Është mirë që ta presim me qetësi këtë refuzim. Ashtu sikundër kemi treguar në katër vite që na duhej statusi për fushatë, duhet të tregojmë se na duhet për vete. Nuk janë fajtorë ata që nuk na hapin derën më shumë se sa ne që nuk meritojmë të hyjmë në atë derë. Për fat të mirë nuk kemi para ndonjë fushatë elektorale dhe as ndonjë kusht specifik për të plotësuar që të organizojmë peticione si ato të Jozefinës. Kemi përpara një sfidë për të ndërtuar një shtet ligjor, për të çuar para drejtësisë zyrtarët e paprekshëm që na kanë qeverisur dhe qeverisin, dhe për të dhënë garanci se po ndërtojmë një shoqëri të lirë.

Raporti me Evropën duhet të kthehet në një raport normal dashurie dhe jo në një marrëdhënie imponuese. Nuk mund t’i hyjmë me zor në shtëpi dikujt që nuk është gati të bashkëjetojë me ne. Rëndësi ka të bëhemi më të mirë për vete, pasi vetëm kështu mund të jemi të denjë për të bashkëjetuar me ta.

Deri më sot e kemi kërkuar me aq ngulm politikisht këtë status, sa dukej sikur donim të dukeshim të mirë në sytë e saj, por jo të bëheshim një vend evropian. Andej kërkonim statusin dhe këtej vrisnim njerëz, andej kërkonim status dhe këtej gjykatat ktheheshin në shërbëtore të politikanëve, andej kërkonim status dhe këtej vidhnim vota, duke i kërkuar ato dhe jashtë kutive…

I gjithë ky teatri ynë për t’u dukur evropianë, na ka bërë më shumë të pavërtetë seç jemi. Tani shihet qartë se statusi nuk është çështje kushtesh teknike dhe as çështje lobimi politik. Ato qoka i bëri dhe Sali Berisha dhe s’i bëri keq. Statusi është çështje statusi! Ose je evropian, ose nuk je. Ne nuk jemi. Është mirë të qetësohemi dhe të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, e cila hyn vetë në Evropë, pa u lodhur të gënjemë Evropën.

 

(Gazeta Tema)