Statovci: 93 nga 95 kriteret i kemi përmbushur, jemi në kilometrin e fundit të liberalizimit të vizave

Zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci, në një intervistë për lajmi.net ka treguar për kilometrin e fundit që e ka Kosova në liberalizimin e vizave. Ajo ka komentuar deklaratat e komisionerit Johannes Hahn dhe shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Apostolova. Statovci ka thënë se nga 95 kritere që ishin, 93 janë plotësuar, ndërsa kanë mbetur edhe dy.

Lajme

17/11/2016 09:26

Lajmi.net: Për disa kohë Ministria e Integrimeve ka qenë pa ministër dhe zv/ministër. Konsideroni se ka mbetur ndonjë punë keq për këtë periudhë pa ministër dhe zëvendës?

Statovci: Ministria e Integrimeve Evropiane ka qenë pa prezencë politike  vetëm për më pak se një muaj. Gjate kësaj kohe përkujdesjen politike e ka marrë rangu i ardhshëm më i lartë politik, e që në këtë rast ka qenë Zëvendëskryeministri Kuçi, ndërsa vet Ministria ka një staf shumë të përgatitur profesionalisht i cili është përkujdesur për implementimin teknik të detyrave. Unë jam emëruar në postin e Zëvendësministres me vendim formal nga data 7 nëntor.

Lajmi.net: Kosova u tha se është në miljen e fundit te liberalizimit nga komisioneri Hahn. Ka mbetur edhe ndonjë kriter. Si e shpjegoni këtë?

Statovci: Mesazhi i Komisionarit  Hahn ka qenë shumë i qartë dhe nuk ka vend për interpretime. Natyrisht se Kosova është ne kilometrin e fundit te rrugëtimit për liberalizimin e vizave. Gjersa duhet të punojmë mjaft shumë për procesin e implementimit te MSA, liberalizimit te vizave për shtetasit Kosovare i dalin përpara vetëm dy kriteret tani me te njohura nga te gjithë në shtet, janë këta ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi si dhe Luftimi efektiv i Korrupsionit. Prej 95 kritereve qe është dashur te përmbushen për të fituar liberalizimin e vizave, Kosova ka përmbushur 93 prej tyre dhe këto dy kriteret e mbetura janë pra ai kilometri u fundit i kësaj maratone.

Lajmi.net: Posti i ministrit të Integrimeve ende është bosh. Sa janë gjasat që ju ta merrni postin e ministres, pasi deri më tani PDK nuk ka ndonjë emër?

Statovci: Për këtë mendoj se është e udhës të pyetet drejtpërsëdrejti Kadri Veseli si kryetari i PDK-së, partisë mandatare për formimin e kësaj qeverie. Jo vetëm që nuk kam unë informatat për këtë, por edhe mendoj se kjo do të ishte rruga e drejtë për të eliminuar mundësitë e interpretimeve të ndryshme që nuk sjellin ndonjë informate me vlerë për publikun.

Lajmi.net: Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë tha që Demarkacioni është kusht për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. A po i bie që kosovarët nuk do të udhëtojnë pa viza as këtë vit?

Statovci: Deklaratat e ambasadores Apostolova, shefes se zyrës se BE gjithsesi janë në të njëjtën vijë dhe frymë sikurse edhe ato të Komisionarit Hahn. Përderisa mbeten peng këto dy kritere të pambushura, pra për shkak të pengesave trafiku është ndalur në këtë kilometrin e fundit, mendoj se gjasat reale janë që nuk do të arrihet mënjanimi i këtyre pengesave për këtë një muaj e gjysmë sa ka mbetur deri në fund të vitit kalendarik. Megjithatë, mbes me një shpresë, po ashtu shume reale, se me punë të përbashkët të të gjithë akterëve do të arrijmë që gjatë vitit të ardhshëm tejkalojmë këtë nyje dhe ta arrijmë liberalizimin e vizave. E mirë për të gjithë do të ishte që mos të lidhemi për data formale por që me punë, dhe për këtë janë të nevojshme që të gjithë, të eliminojmë pengesat në rrugë njërën pas tjetrës. Nuk ka vend për zhgënjim. Kemi përkrahjen e plotë të BE-së për këtë.

Lajmi.net: Ju jeni pjese e Institutit, zv/drejtoresh, që është themeluar nga PDK. Para disa dite keni pasur një debate, çka është konkluduar?

Statovci: Po, për këtë periudhë kam marrë detyrën prej Ramadan Ilazi, si ideator dhe iniciator i këtij instituti. Kemi planifikuar një seri debatesh që do të organizohen me grupe dhe struktura të ndryshme, brenda dhe jashtë partisë me idenë kryesore që të dëgjojmë zërin konstruktiv të të gjithëve. Kjo platforme u konfirmua në këtë debat të parë. U pa se një platforme e tillë e debatit konstruktiv ka qenë më se e domosdoshme dhe sugjerimet që u dhanë nga këtu kanë qenë ide shumë të vlefshme për të ardhmen e PDK-së, të dhëna nga njerëz me përvojë e me punë shume vjeçare në dobi të shoqërisë, nga profesione dhe funksione të ndryshme. Është planifikuar që të bëhen edhe disa debate të tjera dhe qysh në debatin e radhës do të kemi të ftuar publikun jashtë partisë, konkretisht do të jenë të ftuara bizneset për një debat të hapur. Gjithashtu së shpejti, besoj se do të kemi të organizuar edhe një seri tryezash të hapura diskutimi, me ekspertë të jashtëm, për tematika të ndryshme. /Lajmi.net/