Statistika të frikshme! Ja çfarë po i vret shqiptarët

Në Shqipëri vdesin çdo ditë 13.5 vetë nga ndotja e ajrit. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se numri i vdekjeve që i atribuohen ajrit të ndotur në Shqipëri është mesatarisht 5 mijë në vit.

Lajme

23/03/2017 18:14

 

Kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 5 në botë me numrin më të lartë të vdekjeve për frymë që shkaktohen nga ndotja e ajrit. Shifrat janë raportuar nga Forumi Ekonomik Botëror.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, vendi me numrin më të lartë të vdekjeve nga ndotja e ajrit në planet është Gjeorgjia. Në këtë shtet vdesin mesatarisht 300 persona për çdo 100 mijë banorë në vit nga ndotja e ajrit.

Lista pasohet nga Koreja e Veriut. Në shtetin e izoluar diktatorial humbin jetën mesatarisht 234.1 persona për çdo 100 mijë banorë nga ndotja e ajrit. Në vendin e tre dhe të katërt renditen Bosnja dhe Bullgaria, të cilat kanë një tregues vdekjesh nga ndotja e ajrit respektivisht 223.6 dhe 174.8 persona për 100 mijë banorë.

Pas tyre renditet Shqipëria. Sipas Agjencisë Botërore të Energjisë, ndotja e ajrit në Shqipëri vret 171.4 persona në çdo 100 mijë vetë. Arsyeja kryesore është industria energjetike, veçanërisht ajo e naftës, e cila mendohet se shkakton 44 për qind të emetimit të gazrave serrë.

Statistikat tronditëse

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se me këto shifra ndotja e ajrit vret më shumë se sa SIDA, tuberkulozi, aksidentet rrugore dhe tumoret të marra së bashku.

Në rang global, ndotja e ajrit është rreziku i katërt më i madh për shëndetin e njeriut pas hipertensionit, risqeve dietike dhe cigares. Ajo shkaktohet nga prodhimi i energjisë, industria, transporti apo aktivitete të tjera, që çlirojnë gazrat ndotës në atmosferë.

Në rastin e Shqipërisë, ndotja e madhe e ajrit është e lidhur kryesisht me mungesën e kontrollit shtetëror mbi kompanitë ndotëse.

Këto të fundit madje nuk zbatojnë as detyrimet më minimale për të investuar në reduktimin e ndotjes që shkaktojnë, duke nxjerrë fitime të majme në kurriz të shëndetit të qytetarëve.

Shqipëria zakonisht gjendet në fundin e klasifikimeve botërore, për mirëqënien apo treguesit e zhvillimit shoqëror. Por për fatin e saj të keq qëndron në majën botërore për treguesit katastrofike si ky i vdekjeve nga ndotja.