Statistika dhe kuriozitete: Real – Bayern

Real Madrid dhe Bayern Munich zhvillojnë sonte ndeshjen e tyre të parë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Dy gjigantët evropianë ndajnë shumë statistika dhe kuriozitete interesante.

Sport

23/04/2014 12:39

Real Madrid pret Bayern Munichun sonte në Santiago Bernabeu në ballafaqimin e tyre të parë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Dueli mes dy skuadrave favorite për të fituar trofeun do të zgjojë vëmendje të jashtëzakonshme dhe nga shumëkush është konsideruar si finale para finales.

Opta ka publikuar statistikat dhe kuriozitetet më interesante të ballafaqimit.

1. Real Madrid dhe Bayern Munich kanë fituar bashkërisht 14 tituj në Kupën e Evropës/Ligën e Kampionëve, 9 përkatësisht 5.  

2. Real Madrid dhe Bayern Munich janë takuar 14 herë në Ligën e Kampionëve. Dueli i ri do të barazojë rekordin e ballafaqimit më të shpeshtë të garës, 15 mes Barcelonës dhe Milanit.

3. Bayern Munich ka mposhtur tetë herë Real Madridin (në 14 ndeshje), më tepër se cilado skuadër tjetër në Ligën e Kampionëve.

4. Bayern Munich ka humbur pesë ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu (përfshirë finalen e vitit 2010 nga Inter).

5. Real Madrid është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për vitin e katërt me radhë, por pa u kualifikuar në finale nga 2002.

6. Real Madrid ka fituar 15 nga 17 duelet e fundit të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu. Humbja e fundit në shtëpi ishte në prill të vitit 2011 nga Barcelona.

7. Real Madrid ka shënaur së paku një gol në 17 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve në shtëpi, në total 55 gjatë kësaj periudhe, 3.2 për ndeshje.  

8. Real Madrid ka fituar nëntë nga 11 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve, 1 barazim dhe 1 humbje. Disfata e fundit ndodhi në duelin e shkuar nga Borussia Dortmund 2:0.

9. Real Madrid është ekipi me numrin më të madh të golave të realizuar gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. 28 nga 32 golat e Los Blancos janë shënuar nga loja e hapur.  

10. Real Madrid ka konkretizuar vetëm një nga tri penalltitë e akorduara në favor gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve.

11. Bayern Munich është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të katërt në pesë edicionet e fundit.  

12. Bayern Munich është i pamposhtur në nëntë ndeshjet e fundit të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve, 7 fitore dhe 2 barazime.  

13. Bayern Munich ka shënuar së paku një gol në 15 ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve. Arsenali është skuadra e fundit që e ruajti portën të pamposhtur në duel me Bayernin, më 13 mars 2013.

14. Shtatë golat e Bayern Munichut gjatë fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve këtë sezon janë realizuar nga minuta e 54-të e tutje.

15. Bayern Munich ka goditur shtyllën tetë herë, më tepër se cilado skuadër tjetër në edicionin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve.

16. 88 përqind të golave të pranuar nga Bayern Munich gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve janë realizuar në pjesën e dytë, 7 prej 8.

17. Cristiano Ronaldo ka shënuar 35 gola në 27 ndeshjet e fundit në Ligën e Kampionëve, 14 këtë edicion, rekord të cilin e ndanë me Jose Altafinin dhe Lionel Messin.  

18. Karim Benzema dhe Angel di Maria janë asistuesit më të mirë në Ligën e Kampionëve këtë sezon, me nga pesë secili, njësoj sikurse sulmuesi i Manchester Unitedit, Ëayne Rooney.

19. Arjen Robben ka shënuar shtatë gola dhe pesë asistime në 11 ndeshjet e tij të fundit në Ligën e Kampionëve.  

20. Carlo Ancelotti ka siguruar gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve për herë të pestë si trajner, dhe për herë të parë nga viti 2007 (katër me Milanin dhe një me Real Madridin).

21. Ancelotti asnjëherë nuk ka humbur si trajner në Ligën e Kampionëve nga Bayern Munich (4 fitore, 2 barazime, të gjitha me Milanin).  

22. Pep Guardiola është pjesëmarrës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të pestë në po aq edicione si trajner, (4 me Barcelonën dhe 1 me Bayern Munichun).  

23. Guardiola ka humbur vetëm dy prej 15 ballafaqimeve me Real Madridin në të gjitha garat (9 fitore dhe 4 barazime). Barcelona e tij e eliminoi Real Madridin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve më 2010/11.