‘Star Tobacco’ interesohet për Shqipërinë

Një kompani e njohur ndërkombëtare ka në plan të rigjallërojë prodhimin e duhanit në Shqipëri, një industri prej vitesh në vështirësi të thellë. Ekspertët e ‘Star Tobacco International’ prej 6 muajsh ndodhen në Shqipëri për të studiuar tregun dhe kontaktuar me fermerët.

Lajme

05/06/2014 00:51

Ne kemi vizituar disa ferma, kryesisht në rajonin e Shkodrës. Kemi parë që fermerët kanë vështirësi të shesin duhanin, më së shumti për shkak se ai është i papërpunuar, tha për Top Channel Iqbal Lambat, drejtor ekzekutiv i Star Tobaco.

“Ajo që kemi në plan është ndërtimi i një fabrike në Shqipëri, përmes të cilës të përpunojmë duhanin e prodhuar nga fermerët këtu, që të arrijë standardet ndërkombëtare. Ta paketojmë më mirë dhe ta eksportojmë kryesisht në tregjet aziatike. Ka kërkesë për duhan shqiptar në tregjet aziatike”, deklaroi Lambat.

Drejtuesit e kompanisë thonë se Shqipëria mund të rikthejë nivelet e dikurshme në prodhimin e duhanit, që, sipas tyre, do të krijonte mijëra vende të reja pune, por edhe miliona euro të ardhura nga eksporti.

“Historikisht, Shqipëria ka prodhuar rreth 15 mijë tonë duhan në vit, i cili mbante në punë afro 45 mijë fermerë. Sot prodhimi ka rënë në 6 mijë tonë. Ne synojmë ta çojmë sërish në 15 ose 20 mijë tonë dhe vetëm kjo do të krijonte 60 mijë vende të reja pune, duke sjellë edhe më shumë të ardhura nga eksporti”, nënvizoi Lambat. 

‘Star Tobacco International’ operon kryesisht në tregjet azitiake dhe ato europiane, duke tregtuar duhanin e përpunuar tek kompanitë e mëdha prodhuese të cigareve.

/Top Channel/