Standardi jetësor përditë e më i keq!

Dallimet e mëdha në mes të pagave dhe çmimeve të konsumit po bën që standardi jetësor i kosovarëve të ulët për ditë e më shumë. Sipas ekspertëve të ekonomisë rritja e inflacionit që nuk po shoqërohet edhe me rritje të pagave, sidomos në sektorin privat, po e zvogëlon fuqinë blerëse të konsumatorëve, e rrjedhimisht kjo po e ulë standardin jetësorë.

Lajme

19/03/2015 10:38

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, ka thënë për Telegrafin se dallimi në mes të pagave dhe çmimeve është i madh. Sipas, tij, ky dallim bën që standardi jetësorë të jetë i ulët për kosovarët.

“Gjithnjë po vjen duke rënë standardi jetësorë,  pasi pagat mbesin me vite të njëjta, derisa çmimet po rriten. Kjo rritje e çmimeve duke mos rritur edhe pagat rrjedhimisht e zvogëlon edhe fuqinë blerëse të konsumatorëve”, ka thënë profesori universitar i ekonomisë.

Limani ka thënë se shkalla e inflacionit është e madhe, i cili shprehet në përqindjen e shportës jetësore.

“Në Kosovë nuk përcillet inflacioni edhe me ngritjen e pagave, prandaj ekziston një disproporcion i madh ndërmjet  pagave dhe fuqisë reale blerëse te konsumatorët. Kemi çmimet shumë të larta me nivelin e pagave”, tha Limani. Sipas tij, paga minimale duhet të caktohet nga Qeveria, ku pastaj përcaktohet edhe rritja e pagave që të ndiqet edhe shkalla e inflacionin.

Ndryshe, sipas zyrtarëve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çmimi i konsumit  për muajt janar- shkurt 2015, vazhdojnë të jenë më të ulët se sa muajt janar-shkurt 2014.

“Pra janari i këtij vitit ka qenë për 0.6 për qind më i ulët se janari 2014. Kurse shkurti 2015, është për 0.3 për qind më i ulët se shkurti 2014. Sa i përket lëvizjeve mujore janari 2015 ishte 0.2 për qind më i lartë se dhjetori 2014, ndërsa shkurti për 0.3 për qind më i lartë se janari 2015”, ka thënë për Telegrafin, Hazbije Qeriqi, zëdhënëse e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Por, pavarësisht këtyre trendëve negative ekonomike në vend ASK-ja nuk e llogarit shportën që nga vitit 2002. /Telegrafi/