Stamboll, merret peng prokurori i hetimeve për vrasjen e protestuesit

Prokurori Mehmet Selim Kiraz, i cili po heton çështjen në lidhje me vdekjen e Berkin Elvan merret peng në zyrën e tij në Pallatin e Drejtësisë në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Bota

31/03/2015 15:14

“Persona të organizatave ilegale janë ngjitur në katin e gjashtë ku ndodhet dhe zyra e prokurorit në Pallatin e Drejtësisë, në rajonin Çagllajan të Stambollit, kanë nxjerrë jashtë sekretarin dhe punonjësit e tjerë dhe kanë marrë peng prokurorin Mehmet Selim Kiraz”, raporton agjencia turke.

Ekipet e sigurisë kanë tentuar të hapin derën e zyrës, por nga brenda saj janë dëgjuar dy të shtëna me armë. Kati ku ndodhet zyra e prokurorit është zbrazur dhe janë marrë masa të forta të sigurisë.

Gjithashtu në vendngjarje janë dërguar ekipet e forcave speciale dhe Kundër-terrorizmit me Ekipin negociator të policisë.

Protestuesi Berkin Elvan, pasi u godit nga një kapsulë e gazit lotsjellës të lëshuar nga policia gjatë protestave të Parkut Gezi në Taksim të Stambollit, mw 16 qershor 2013, humbi jetën pasi ndenji 269 ditë në koma.