Stadiumi me kullë – çudia e re e Ramës

Sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë bindemi se nuk kemi parë gjë akoma. Po jetojmë ditë të veçanta kur mënyra më e mirë për të kapërcyer një skandal, është të krijosh një tjetër më të madh. Kështu ka ndodhur edhe këtë rradhë.

Opinion

22/04/2016 14:14

Nuk është mbyllur ende debati për betonizimin e parkut të liqenit. Nuk është mbyllur ai për lejet e gjashtë kullave të ndërtimit që Rama dha në Tiranë duke pretenduar se i kish trashëgim nga Basha. Nuk është mbyllur as ai për përçudnimin e sheshit “Nënë Tereza” në emër të ngritjes së një hyrjeje për parkun.

Por, pamvarësisht nga këto, Edi Rama dje, me mbrurrje dhe krenari, ka prezantuar një shpikje tipike shqiptare: Stadiumin e ri kombëtar me një kullë gjigande mbi të.

Sapo e pashë këtë prezantim mbeta i çuditur nga diçka: të gjithë mediat flisnin për Arenën e re kombëtare, për kryeministrin që kish evokuar stadiumin e Juventusit, për shifrën 50 milionshe që do hidhej në këtë investim sipas formulës më në modë, të partneritetit publik privat, por askush, askush nuk e përmendte atë phallus gjigand që ngrihej mbi stadium. Ai dukej i heshtur vetëm në foto dhe makete.

Në mes të kësaj mbylljagoje rrënqethëse askush nuk kishte ngritur as pyetjet e tjera: A shkon ai stadium pikërisht aty? A është ky kryeministër që e ka shpallur atë zonë si monument kulture? A ndikon ky ndërtim i ri në shkatërrimin e fizionomisë së atij sheshi të konceptuar sipas parimeve të rralla të arkitekturës fashiste italiane? Çdo të bëhet me fasadën historike të stadiumit të vjetër “Qemal Stafa” të cilën projekti fillestar parashikonte të ruhej?

Në redaksinë e Lapsit ne bëmë edhe një kërkim tjetër. Investiguam mbi projektet më novatore të studiove arkitekturore, që kanë projektuar dhe pritet të përfundojnë stadiumet më modern që janë konceptuar sot në botë.

Po ka vërtet mrekulli të arkitekturës. Nga Pekini në Azerbaxhan, nga Katari në Valencia. Por askund, askund nuk sheh një çudi si kjo shqiptarja: një stadium me një pallat përsipër.

Aq absurde duket ajo, sa të bën të mendosh se qëllimi i vërtetë nuk ka qenë që aty të ngrihet një stadium. Nuk ka qenë as që aty, në emër të ngritjes së një impianti sportiv, të gjenden forma që ta bëjnë privatin që do të financojë, të interesuar. E njohim këtë refren dhe e dimë mirë se çfarë kamuflon.

Jo, jo, më shumë gjithë ky projekt të jep idenë se po përdoret stadiumi kombëtar, për të ndërtuar një kullë. Për të ngritur një qendër biznesi, me mjedise që shiten nga 2 mijë 3 mijë euro metri katrorë.

Stadiumi ka gjasë të jetë thjeshtë fasada. Justifikimi.

Sepse Edi Rama tanimë e ka kuptuar rreagimin qytetar ndaj betonizimit që ai i ka bërë Tiranës.

Ndaj për të vazhduar misionin e tij, të vetmen gjë që di të bëjë, ndërtimin e kullave të larta, ai po përdor një taktikë tjetër. Gjetjen e formave të reja, për të kënduar një avaz të vjetër. Një kullë e re po justifikohet me stadium. Të tjera nuk është çudi të maskohen në emër të gjelbërimit dhe kopshteve të vertikale të stiilit Boeri.

Po qëllimi është i njëjtë. Ti merret fryma deri në fund Tiranës në emër të interesave financiare. Prandaj them se nuk kemi parë ende gjë akoma. Stadiumi me pallat ka gjasë të mos jetë çudia e fundit.  /lapsi.al