Stadiumi i Prishtinës, dokumenti i vërtetësisë së pronarit

.

Sport

22/04/2018 08:57

Në letrën që e kishte publikuar Insporti më herët, UEFA kishte kërkuar që të dërgohet një dëshmi me shkrim se kush është pronar i stadiumit dhe kush do të menaxhojë me stadiumin pas renovimit të tij, kur do të përfundojë procesi i renovimit, kur do të aranzhohen ndeshjet testuese dhe disa kërkesa tjera të FFK duhej ti përmbushë për të pasur gjasa që Kosova në shtator, të luajë në Prishtinë, e jo në Shkodër ose diku tjetër.

Insporti ka siguruar dokumentin, gjegjësisht vërtetimin e Komunës së Prishtinës lidhur me pronësinë e stadiumit.

Në këtë dokument Komuna e Prishtinës konfirmon se është pronare e stadiumit dhe se komuna merr përsipër edhe menaxhimin me stadium dhe me staf profesional për mirëmbajtje dhe funksionim. Po ashtu ky staf do të jetë në dispozicion të FFK-së, kur ka ndeshje të zyrtare dhe FFK do të ketë prioritet për shfrytëzimin e stadiumit.

Insporti po ashtu ka kontaktuar edhe zyrtarët e FFK-së. Zv. Sekretari i Përgjithshëm Arianit Ahmeti, ka pohuar se “sot në mëngjes i kemi dërguar UEFA-s përgjigje në të gjitha kërkesat e tyre dhe jemi komplimentuar për azhuritetin tonë. Përveç dokumentit të Komunës për pronësi, nga MKRS kemi siguruar edhe planin dinamik për punimet e mbetura, që pritet të përfundojnë në fund të qershorit dhe jemi duke e menduar një propozim të UEFA-s për ndeshjet testuese. Nga kontaktet që kemi me jashtë, na është propozuar modeli i Allianz Arenas, gjegjësisht organizimi i ndeshjeve testuese të kategorive të reja dhe mbushjen e stadiumit me disa mijëra shikues të rinj, ku do të testohej funksionimi i gjërave në stadium”.

Ahmeti beson se gjërat do të shkojnë si duhet dhe gjatë verës do të merret konfirmimi se Kosova do të mund të zhvillojë ndeshje në shtator në Prishtinë.