Sportistët me emra të vështirë për t’u lexuar e shkruar

Jakub Blaszczykowski, Saeid Mohammadpourkarkaragh, Luvsanlkhundegiin Otgonbayar. Emra të sportistëve të vështirë për t’u shkruar e shqiptuar. Por, ka edhe shumë të tjerë.

Sport

21/08/2015 09:48

Të gjithë janë sportistë, e disa madje edhe yje të mëdhenj. Por, ata kanë një tjetër të përbashkët të rrallë, emrin ose mbiemrin shumë të komplikuar për ta shkruar ose shqiptuar.

E këtë më së vështiri e kanë gazetarët që e kanë punë të përditshme, por ndoshta edhe tifozët e tyre që duan të brohorisin në mbështetje të tyre.

E përditshmja sportive katalane “Mundo Deportivo” ka publikuar një përmbledhje të sportistëve, në mesin e të cilëve janë edhe dy femra, e që të gjithë kanë emrat e komplikuar për t’u shkruar e shqiptuar, shkruan “Zëri”.

Reza Ghoochannejhad – Futbollisti me origjinë nga Irani luan në Charlton Athletic. Por, me mbiemrin e tij të komplikuar për t’u shkruar e lexuar, shpeshherë u ka nxjerrë telashe atyre që e kanë për detyrë të shkruajnë për të.

Jakub Blaszczykowski – Një prej sportistëve më të famshëm në përmbledhje. Mesfushori i njohur i Borussia Dortmundit ka emër që vështirë se mund ta shkruani saktë në tentimin e parë. Por, njësoj është e vështirë për komentatorët që ia shqiptojnë gjatë paraqitjeve të tij për skuadrën e Bundesligës.

Saeid Mohammadpourkarkaragh – Një mbiemër më të gjatë vështirë se e keni dëgjuar ndonjëherë. Peshëngritësi iranian më mirë që të jetë i njohur për nga emri. Mbiemri i tij, në shqiptim dhe shkrim është një sfidë e vërtetë.

Bastian Schweinsteiger – Një tjetër mbiemër që nuk është aspak i lehtë për t’u shqiptuar e as shkruar. Përforcimi i ri i Manchester Unitedit, megjithatë ka krijuar një karrierë të suksesshme ku më tepër shquhet për kualitetet e tij, se sa mbiemrin e komplikuar.

Luvsanlkhundegiin Otgonbayar – Një atlete nga Mongolia, profesioni i saj është shumë i lehtë për t’u sqaruar. Mirëpo, ajo që është shumë e vështirë janë emri por edhe mbiemri i saj.

Ranomi Kromowidjojo – Notarja holandeze është e njohur në sportin tek i cili ka krijuar emër. E kur jemi te mbiemri, ajo nuk e ka aspak të lehtë për ta shqiptuar, e as shkruar.

Cesc Fabregas – Mesfushori i Chelseas u krijon telashe atyre që ia shqiptojnë për shkak të theksit. Edhe pse në gjuhën spanjolle lexohet “Sesk”, shpeshherë ka ndodhur që dikujt i ka shkuar keq duke e quajtur “seks”.