Sporti kosovar ndërkombëtarizohet në fund të vitit 2015 (foto-video)

Barrierat për sportin dhe sportistë kosovarë do të marrin fund në vitin 2015, kurse Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, gjatë këtij viti. Kështu kanë thënë ministri Memli Krasniqi dhe Besim Hasani kryetari i KOK.

Sport

27/11/2014 14:40

Kosova do të bëhet anëtare e plotë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar gjatë muajit dhjetor, kur edhe do të mbahet edhe sesioni i jashtëzakonshme i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON). Ndërkaq që procesi i ndërkombëtarizmit të sportit kosovar, do të ndodhë në fund të vitit 2015.

Kështu thanë ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit(MKRS), Memli Krasniqi dhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, pas një takimi, ku u bisedua për zhvillimet pas pranimit të Kosovës si anëtar i përkohshëm në KON më 22 tetor të këtij viti.

Ministri Krasniqi tha se me pranimin e Kosovës  KON, fillon një etapë e re për sportin e Kosovës, pas së cilës, duhet punë dhe angazhim edhe më i madh.

“Është konstatim i përbashkët që zhvillimet pozitive që kanë ndodhur deri më tash me kontributin dhe angazhimin e përbashkët të Komitetit Olimpik të Kosovës, federatave sportive, të institucioneve, të vazhdohen edhe pas njohjes së plotë, që ne presim  të ndodh gjatë sesionit të jashtëzakonshëm të Komiteti Olimpik Ndërkombëtar në Monako, që do të mbahet me 8-9 dhjetor”, tha Krasniqi, transmeton lajmi.net.

Ai tha ata kanë bërë gati edhe ligjin i cili do të bëjë edhe kategorizimin e sportit dhe të sportistëve e që do të ndihmojë në ndarjen e buxhetit për së cilën federatë të cilat do të vazhdojnë të mbështeten nga MKRS.

Krasniqi tha se edhe komunat duhet të jenë më shumë në përkrahje të klubeve të tyre.

“Komunat duhet ta ndryshojnë qasjen ndaj sportit. Komunat duhet të mendojnë për klubet e veta. Duhet përfundimisht të fillojnë mbështetjen e klubeve  e të gjitha sporteve të nivelit komunal”.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen për të gjitha federatat pa dyshim”, tha Krasniqi.

Ai bëri të ditur se më qëllim të përmbushjes së kërkesave që do ti ketë Komiteti Olimpik i Kosovës, për  vitin e ardhshëm atyre u janë ndarë 150 mijë euro, kurse për vitin 2016,300 mijë euro.

Ndërkaq, kryetari i KOK-ut , Besim Hasani tha se pranimi i Kosovës në KON, ka qenë një ngjarje e madhe jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ai u shpreh optimistë se ndërkombëtarizimi i Kosovës do të ndodhë në fund të vitit 2015, ku nga tërë federatat punë më të vështirë do të ketë ajo e futbollit.

“Ne presim që rrjedhshëm të shkojë pranimi i të gjitha federatave e mbase me Federatën e Futbollit do të ketë pak vështirësi, por me kohë besoj që edhe Federata e Futbollit do të njihet dhe fundi i vitit 2015 do ta gjejë sportin plotësisht të ndërkombëtarizuar”, tha Hasani.