Sporti kosovar gjatë vitit 2014

Viti 2014 do të mbetet si njëri ndër vitet më të rënëdsishme në sportin kosovar, ku janë hedhur hapat e parë dhe historikë për zhvillimin e tij. Gjatë këtij viti, sporti kosovar ka thyer shumë izolime shumëvjeçare, duke bërë hapa të shumtë dhe të mëdhenj drejt zhvillimit historik.

Sport

31/12/2014 20:49

Viti 2014 nuk do të harrohet nga asnjë kosovar, aq më pak nga sportistët dhe tifozët e sportit për disa arritje kulminante që i kemi përmbledhur në këtë shënim.

Viti filloi në mënyrë perfekte për sportin kosovar, pasi xhudistja Majlinda Kelmendi arriti të fitojë medaljen e artë në turneun Grand Slam ‘Parisi 2014’. Ajo arriti të mposhtë në finale xhudisten nga Finlanda, Jaana Sundberg, në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Më pas vjen erdhi edhe dita e paharruar për futbollin kosovar. Më 5 mars, në Mitrovicë, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll zhvilloi ndeshjen e parë ndërkombëtare nën monitorimin e FIFA-s. Edhe pse ishte thjesht një miqësore, ndeshja ndaj Haitit do të mbetet në kujtesën e futbolldashësve të vendit tonë, pasi ishte pikënisja e sukseseve që pritet të arrihen në të ardhmen.

Një muaj më vonë, më saktësisht më 26 prill, Majlinda Kelmendi arriti të shpallej xhudistja më e mirë në Europë. Ajo e fitoi këtë çmim nga Federata Europiane e Xhudos, falë arritjes së madhe në Kampionatin Europian në Francë, ku zuri vendin e parë dhe fitoi medaljen e artë.

Në muajin gusht, ndërkaq, vjen arritja historike për krenarinë e sportit tonë. Majlinda Kelmendi arriti që midis Rusisë ta mbrojë titullin e Kampionit të botës. Ajo e fitoi medalen e artë në këtë Botëror, duke mposhtur në finale rumunen, Andrea Chitu.

Në tetor vjen ngjarja që bëri jehonë në tërë botën. Ndonëse nuk ka të bëjë konkretisht me sportin kosovar, ndeshja Serbi-Shqipëri e zhvilluar në Beograd, rezultoi të jetë më tensionuese se që është menduar. Ndodhitë e asaj nate nuk mund të mos përmenden në këtë shkrim, pasi ato më vonë implikuan në reagime politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, fundi i muajit tetor do të mbetet çdo herë në historinë e sportit tonë, pasi Kosova pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Dhe, në ditët e para të dhjetorit, finalizohet suksesi i plotë i Kosovës, e cila bëhet anëtare me të drejta të plota e KON-it. Vendimi i madh u mor në kongregin e KON-it që u mbajt në Monako.

Ky vendim jo vetëm që ishte një arritje e madhe për sportin tonë, por edhe i irritoi jashtë mase serbët, të cilët ende nuk mund të pajtohen me këtë dhe kanë shfaqur pakënaqësi të shumta.

Pranimi i Kosovës në KOK dhe KON do të thotë se sportistët tanë do të garojnë në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’.