Spiuni rus që desh trazoi Malin e Zi u dëbua nga Polonia

Eduard Shirokov, i dyshuar nga autoritetet malazeze se organizatori i tentativës për grusht shtetit tetorin e vitit të kaluar, është dëbuar 3 vjet më parë nga Polonia.

Lajme

21/02/2017 18:48

Shirokov përdorte emrin e tij të vërtetë në Varshavë, Eduard Shishmakov dhe mbante postin e zv.atasheut ushtarak në ambasadën ruse në Poloni.

“Për ne ishte një rast i pashembullt dhe i padëshirueshëm që të shpallnim non grata një atashe ushtarak. Por për Poloninë kjo çështje është mbyllur dhe tani mësojmë se i njëjti person është i akuzuari kryesor në tentativën për të rrëzuar qeverinë në Malin e Zi”, deklaroi për BIRN, ambasadorja polake në Podgoricë, Irena Tatarzynska.

Shishmakov u dëbua nga Polonia pas publikimit nga revista javore “Wprost” të disa përgjimeve ilegale,  ku përfshiheshin zyrtarë të lartë polakë, që nga ministri i Brendshëm Bartlomeij Sienkiewicz, guvernatori i Bankës Qendrore, Marek Belka, ministri i Jashtëm Radoslaw Sikorski dhe ministri i Financave Jacek Rostowski.

Si pasojë e këtij skandali, nëntë zyrtarë polakë, përfshirë Rostowski dhe Sikoroskin, u dorëhoqën dhe Polonia dëboi katër diplomatë rusë dhe dy shtetas polakë janë duke u gjykuar për spiunazh në favor të Moskës.

Mediat polake në atë kohë akuzonin Shishmakov si spiun, por Kremlini mohoi akuzat.

Të dielën, kryeprokurori i Malit të Zi, Milivoje Katnic akuzoi Rusinë se qëndronte pas përpjekjes për grusht shteti të 16 tetorit të kaluar, që synonte rrëzimin e qeverisë properëndimore dhe të ndalonte anëtarësimin e vendit në NATO.

Sipas Katnic, Shirokov, që ishte edhe koka e grupit, është agjent i shërbimeve sekrete ruse dhe është i njëjti person i dëbuar nga Polonia, pra Eduard Shishmakov, të cilit i është dhënë një pasaportë e re me mbiemrin e ri, ndërsa të dhënat e tjera janë të paprekura.

Katnic deklaroi se grupi kishte bazën në Serbi dhe pavarësisht se autoritetet në Beograd ishin njohur me akuzat e ngritura kundër tyre, i lanë ata të largohen drejt Rusisë.

eduart