Spiuni i dyshuar amerikan mbetet në paraburgim në Rusi

Një ish-marins amerikan, i akuzuar për spiunim në Rusi, do të mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit, vendosi të martën gjykata në Moskë.

Bota

22/01/2019 12:09

Paul Whelan, 48 vjeç, ka kërkuar përmes avokatit të tij lirimin me kusht.

Whelan, i cili e mohon se është spiun, është arrestuar në dhjetor nga zyrtarët rusë të sigurisë, të cilët kanë thënë se e kanë kapur “duke spiunuar”.

Familja e tij ka thënë se ai ka qenë në Moskë për të marrë pjesë në një dasmë.

Nëse shpallet fajtor, akuzat për spiunim bartin dënimin deri në 20 vjet burgim.

Një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Moskë tha për median ruse se ky institucion “po ndjek nga afër” çështjen dhe bëri thirrje për një “gjykim të drejtë dhe transparent”.