Spitali i Prishtinës, vetëm premtim parazgjedhor

Arben Vitia, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, ka thënë se për vitin 2018 janë ndarë 60 mijë euro për inicimin e procedurave rreth ndërtimit të spitalit të Prishtinës. Por opozita në këtë Komunë këtë po e sheh si projekt elektoral të lëvizjes “Vetëvendosje”. Po ashtu edhe gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve të kaluara ishte premtuar ndërtimi i spitalit, por deri më tash ka mbetur vetëm si ide, shkruan.

Lajme

22/09/2017 09:59

Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga Shpend Ahmeti, po planifikon gjatë vitit që vjen t’i nisë procedurat për ndërtimin e spitalit të Prishtinës. Në anën tjetër përfaqësues të opozitës në Komunën e Prishtinës këtë po e shohin si marketing politik të kryetarit Ahmeti.

Arben Vitia, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës, thotë se ndërtimi i spitalit të Prishtinës nuk është premtim elektoral, por projekt që do të realizohet.

Ai ka shtuar se deri më tash nuk kanë mundur të bëjnë asgjë në këtë drejtim për shkak të mungesës së ligjit, por që më miratimin e tij në vitin 2018 edhe projekti për ndërtimin e spitalit do të fillojë.

“Nuk është premtim para fushatës, por ne nuk kemi mundur deri më tash të bëjmë asgjë, pasi në mungesë të Ligjit për Prishtinën një spital i tillë do të ishte nën menaxhimin e SHSKUK-së. Si rrjedhojë, deri më tash nuk kemi mundur që ne me mjetet tona të ndërtojmë një spital të tillë dhe të financojmë në të, ndërsa të na menaxhohet nga SHSKUK-ja. Andaj, ne kemi pritur që të kalojë Ligji për Prishtinën, i cili ka ngecur për shkak të situatës aktuale në Parlamentin e Kosovës”, ka thënë Vitia për gazetën “Zëri”.

Ai më tutje shpreson se gjatë vitit që vjen do të miratohet Ligji për Prishtinën dhe më pastaj do të nisin procedurat për ndërtimin e spitalit të Prishtinës. Ai më tutje ka thënë se ky nuk është projekt vetëm i Shpend Ahmetit dhe i lëvizjes “Vetëvendosje”, por është projekt i gjithë qytetarëve, ndërsa shtoi se në buxhetin e ndarë për vitin 2018 për këtë spital kanë ndarë një shumë prej 60 mijë eurosh.

“Ky nuk do të jetë projekt vetëm i Shpend Ahmetit dhe i ‘Vetëvendosjes’, por i gjithë qytetarëve, pasi që do të këtë debate me të gjithë në mënyrë që të japin mendimin e tyre rreth ndërtimit. Një spital i qytetit gjithashtu do të lehtësojë edhe punën e QKUK-së, e cila për shkak të mungesës së një spitali në qendër po ka mbingarkesë të pacientëve. Në buxhetin e ndarë për vitin 2018 kemi ndarë rreth 60 mijë euro për përgatitjen dhe për procedurat, të cilat do t’i paraprijnë ndërtimit të spitalit, i cili shpresojmë që ndërtimi i tij të fillojë në vitin 2019”, ka thënë ai