Spekulime të pabazuara për arrestimin e 3,000 serbëve në Kosovë

Zëdhënësi i misionit të BE-së në vendin tonë, Miguel Carvalho de Faria ka hedhur poshtë si krejtësisht të pabazuar spekulimet se në Kosovë ekzistojnë lista sekrete dhe aktakuza për rreth 3,000 serbë që do të arrestohen nga EULEX-i.

Lajme

27/07/2014 10:45

Këta janë zëra që shpiken kryesisht në veri, por ata thjesht nuk janë të vërtetë, ka deklaruar Faria në një intervistë për gazetën serbe Politika.

Duke përsëritur se nuk ka kurrfarë listash sekrete, ai ka thënë se po zhvillohen procedura ndaj serbëve që eventualisht kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e vitit 2011,transmeton Koha.net, porse ka shtuar se pa u zhvilluar të gjitha hetimet nuk mund të japë ndonjë detaj.

I pyetur rreth paralajmërimit të serbëve të Zubin Potoku se do të ndërpresin bashkëpunimin me EULEX-in nëse serbëve të arrestuar nuk iu lejohet mbrojtja në liri, Faria është përgjigjur: “Është dëshpërues fakti se sa herë që fillon ndonjë procedurë gjyqësore, dalin kërcënimet se do të ndërpritet bashkëpunimi me EULEX-in”.