Specialja s’do të bëjë pastrime politike!

Analisti amerikan, Daniel Serwer, thotë se krijimi i Gjykatës Speciale ka mundur të evitohet, nëse gjyqësori kosovarë do të kishte ndjekur rastet e krimeve të luftës në vend, në mënyrë më të ashpër dhe efektive.

Lajme

25/03/2015 08:30

Daniel Serwer ka thënë për Zëri se ai nuk është i sigurt se gjykatat e Kosovës mund të ndjekin krime që kanë ndodhur në një vend fqinj.

“Po ka  mundur të evitohet sikurse gjyqësori i Kosovës të kishte ndjekur rastet e krimeve të luftës në mënyrë më të ashpër dhe në mënyrë më efektive. Atëherë do të kishte më pak nevojë për këtë Gjykatë Speciale. Por ka edhe kufizime. Unë nuk jam i sigurt nëse gjykatat e Kosovës mund të ndjekin krimet që mund të kenë ndodhur në një vend fqinj”, thotë ai.

Analisti Serwer, thotë se për të, Gjykata Speciale akoma nuk është krejtësisht e qartë, se cili do të jetë roli i gjyqtarëve të EULEX-it apo dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë.

“Asgjë për mua, sa i përket Gjykatës Speciale, nuk është e qartë ende. Me sa di unë deri më tani edhe shumë çështje të tjera kanë mbetur për t’u vendosur dhe për t’u publikuar. Mbase për këtë gjë Bashkimi Evropain do të mundë të tregonte diçka më shumë pasi që edhe e kanë marrë në duar këtë proces”.

I pyetur se nëse përfundimisht Gjykata Speciale, do ta “pastrojë” skenën politike të Kosovës, Serwer, ka thënë se qëllimi parësor i kësaj gjykate do të jetë vënia e drejtësisë.

“Nuk jam i sigurt se çfarë do të thotë ‘pastrimi i skenës politike’. Mirëpo, qëllimi i Gjykatës Speciale do të ketë si qëllim parësor vënien e drejtësisë dhe jo pastrimin politik”, ka thënë Serwer për Zëri.