Specialja do të votohet të premten e ardhshme

Ligj për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, do të shkojë për votim në Kuvend më 29 të këtij muaji.

Lajme

22/05/2015 12:40

Kështu u tha sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Ndonëse u fol mjaftë që kjo seancë të mbahet sot, apo më së largu të hënën, anëtarët e kryesisë nga partitë parlamentare, kanë vendosur që seancë kur do të futet për votim ky ligj, të mbahet të premten e ardhshme (29 maj)

Kryesia e Kuvendit, Foto & Video: Bujar Tërstena

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjofca, pas përfundimi të mbledhjes konfirmoi lajmin për shtyrjen e seancës, ndërsa përsëriti kritikat e subjektit politik që ai përfaqëson, lidhur me themelimin e kësaj gjykate.

“Sapo u vendos që në seancën e ardhme të procedohen amendamentet për Gjykatën Speciale. Seanca do të mbahet më 29 maj me mundësinë që në të njëjtën seancë të vije edhe ligji që po negociohet me BE-në për formimin e kësaj gjykate. Ai ka thënë se kjo gjykatë është e padrejte sepse përmban drejtësi kolektive”, raporton lajmi.net.

Kryesia e Kuvendit 22 05 _3

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se ka kërkuar nga kryesia që në seancën kur do të votohet Gjykata Speciale, në rend të ditës të futet edhe formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).

Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se si pasojë e dështimeve të tyre në drejtësi, po e sjellin edhe Gjykatën Speciale.

“Kemi kërkuar që si pikë e rendit të ditës të futet edhe ligji për FAK. Nuk kemi kërkuar të jetë si pako ligjesh, por të jetë si pikë e veçantë e rendit të ditës”.

Kryesia e Kuvendit 22 05 _5

Ndërsa, shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë se formimi i kësaj gjykate është në interes nacional.

“Është e vërtet që akuzat e bëra në raportin e Dick Marty-t janë të pa baza, por nuk mund të mjaftohemi vetëm me fjalë. Ne duhet t’i mbrojmë vlerat tona të luftës së pastër të UÇK-së. Pra nuk kemi nevojë të frikësohemi nga kjo”.

Kryesia e Kuvendit 22 05 _6

Edhe shefi i GP të partisë tjetër në pushtet, Ismet Beqiri, ka thënë se LDK do ta votojë themelimin e Gjykatës Speciale.

“Askush nuk mund të ndihet mirë për këtë, por duhet t’i kryejmë obligimet që i kemi marr. Askush nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së. Pra, LDK do ta votojë themelimin e gjykatës”, ka thënë Beqiri.

Askush nga partitë në pushtet, as shefi i grupit parlamentar i PDK-së e as ai i LDK-së, nuk kanë dashur të flasin nëse i kanë numrat e mjaftueshëm në Kuvend për ta votuar themelimin e Gjykatës Speciale.

YouTube player