Spanjë, njëri vëlla u vra në Siri, dy të tjerët arrestohen

Dy të rinj, që të dy nën moshën 16 vjeçare, u arrestuan herët të martën në verilindje të Spanjës, pasi po planifikonin që të njëjtin mëngjes të udhëtojnë për në Siri, për të luftuar përkrah militantëve të DAESH (“Shteti Islamik”).

Bota

31/03/2015 14:21

Ministria e punëve të Brendshme njoftoi se të dyshuarit ishin përcjellë nga policia dhe u kapën në qytetin e tyre të lindjes, në Badalona, ​​rreth 11 kilometra nga Barcelona, pak orë përpara se të fluturonin.

“Një vëlla i të miturve kishte udhëtuar tashmë në Siri, ishte rekrutuar nga grupet xhihadiste dhe kishte vdekur në vitin 2014”, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Spanjës. Sipas kësaj ministrie, viktima ka qenë pjesë e grupit terrorist DAESH.

“Adoleshentët kishin braktisur shkollën në Badalona dhe kishin filluar “studimet” në një qendër islamike në Marok. Ata planifikonin që të martën në mëngjes të fluturonin nga Barcelona në Marok, prej atje kishin rezervuar biletën për në Turqi dhe kishin kontaktuar trafikantët për t’i kaluar në Siri”.

Policia spanjolle ka arrestuar edhe prindërit e adoleshentëve, pasi i gjithë planifikimi për t’iu bashkëngjitur DAESH-it ishte bërë me dijeninë e plotë të atyre, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Spanjës përmes një komunikate për media.

Javën e kaluar, policia spanjolle ka arrestuar dhjetëra radikalë islamikë, të cilët duke shfrytëzuar rrjetet sociale, kanë rekrutuar të rinj me origjinë nga Afrika e Veriut për të luftuar përkrah DAESH-it në Siri dhe Irak. /lajmi.net/