Spanjë, 12 të rinj katolikë vdesin në aksident

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën në një aksident trafiku në juglindje të Spanjës, kur autobusi me të cilin udhëtonin ata ra në një greminë 15 metra, njoftuan të dielën zyrtarë policorë. 

Bota

09/11/2014 12:51

Autobusi ishte i marrë me qira për nevoja të transportimit kryesisht të besimtarëve të rinj dhe ai u rrokullis në greminë të shtunën në mbrëmje në afërsi të qytetit Venta de Olivia, në provincën Murcia.

Ende nuk dihet arsyeja e aksidentit. Policia thotë se shoferi, i cili mbijetoi aksidentin, nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo drogës.

Në mesin e të vdekurve është edhe prifti i cili kishte organizuar udhëtimin.

Numri i viktimave mund të rritet akoma, pasi raportohet se edhe shtatë udhëtarë të aksidentuar janë në gjendje kritike.