Spanja rrezikon përjashtimin nga Botërori 2018

FIFA ndërkohë në komunikimin me Federatën Spanjolle e drejton gishtin nga Qeveria e Spanjës, që me akuzat e ngritura thjesht kërkon të largojë nga detyra presidentin Villar.

Sport

15/12/2017 14:28

Spanja rrezikon përjashtimin nga Botërori “Rusi 2018” për shkak të çështjes “Villar”.

Të paktën kështu shkruan prestigjiozja “El Pais”, sipas të cilës në Federatën Spanjolle të futbollit ka mbërritur një dokument nga FIFA, ku shkruhet se ndërhyrjet e qeverisë mund të çojnë në këtë vendim ekstrem, pra në përjashtimit e futbollit spanjoll nga të gjitha kompeticionet ndërkombëtare.

Gjithçka lidhet rreth emrit të Angel Maria Villar, president i Federatës Spanjolle të Futbollit, i arrestuar gjatë muajit korrik me akuzën e përvetësimit të paligjshëm të fondeve dhe falsifikim dokumentash.

FIFA ndërkohë në komunikimin me Federatën Spanjolle e drejton gishtin nga Qeveria e Spanjës, që me akuzat e ngritura thjesht kërkon të largojë nga detyra presidentin Villar, transmeton “Super Sport”.

Paralajmërimi i FIFA-s lindi pas propozimit të Këshillit Superior të Sportit në Spanjë për të përsëritur zgjedhjet për president të Federatës Spanjolle të Futbollit, që u mbajtën majin e kaluar dhe që u fituan nga Villar. Ndërhyrja e qeverisë, sipas FIFA-s, kosiderohet dhunim i pavarësisë së Federatës së Futbollit. Për motive të njëjta, Federata Spanjolle e Futbollit rrezikoi të përjashtohej edhe në prag të Europianit të Vitit 2008, turne që u fitua pikërisht nga “La Roja”.

Lind kështu një fije shprese për Kombëtaren Italianë të Futbollit për pjesëmarrjen në Botëror, sikurse ndodhi edhe me rastin e Perusë. Për momentin është thjesht një skenar imagjinar, por që në varësi të vijimit të ngjarjeve mund të bëhet realitet.