Spanja reagon pas vendimit të Katalonisë për pavarësinë

Një fjalim i duartrokitur në fund nga ligjvënësit separatistë dhe i kritikuar ashpër si një “grusht shteti” nga opozitarët në Parlamentin rajonal të Katalonjës, sikurse edhe nga qeveria qendrore e Madridit, ishte ai i mbajtur nga presidenti katalonas Carles Puigdemont mbrëmjen e kësaj të marte.

Bota

10/10/2017 21:31

Puigdemont tha se “kishte mandatin për të deklaruar pavarësinë” e rajonit verilindor, por propozoi ndërkohë “të priste disa javë për të favorizuar dialogun”, duke pezulluar efektet e referendumit të 1 tetorit, fitorja në të cilin i jepte atij mundësinë të implementonte dëshirën për shkëputje nga Spanja.

Por qeveria e Madridit kanë reaguar, duke e quajtur “deklaratën e nënkuptuar të pavarësisë së pezulluar” si të papranueshme.

“Është e papranueshme të bëhet një deklaratë propozimi pavarësie, e më pas të pezullohet në mënyrë të qartë. Qeveria nuk do të dorëzohet përpara shantazheve”, ka thënë një zëdhënës i qeverisë së Madridit, i cituar nga agjencia “EFE”, që shtonte se referendumi ishte “mashtrim dhe i paligjshëm”.

Media tjetër spanjolle “El Pais” shkroi fillimisht në faqen e internetit se qeveria e Mariano Rajoyt i konsideron fjalët e Puigdemont “deklaratë pavarësie”, ndaj të cilave do të përgatisë edhe kundërpërgjigjen, përcjell TCh.

Edhe udhëheqësi i opozitës në Parlamentin rajonal të Katalonjës tha se deklarata e Puigdemont ishte thjesht një “puç”, i cili nuk gëzon madje as mbështetjen e Europës. Ines Arrimadas, kryeopozitarja nga radhët e “Ciudadanos” tha se shumica e katalonasve ndihen katalonas, spanjollë dhe europianë, e për këtë arsye nuk do t’i lejojnë zyrtarët rajonalë “t’u thyejnë zemrat”.

Ndërkohë, pati edhe nga ata katalonas pro pavarësisë që mbetën të zhgënjyer. Shumë prej tyre kishin zbritur në shesh dhe ndiqnin deklaratën nga ekranet e mëdhenj, por në fund reaguan ashpër ndaj Puigdemont, duke e quajtur atë “tradhtar”.