Spalletti ‘dridh’ tifozët e Interit: Rafinha dhe Cancelo largohen

Luciano Spalletti doli në konferencën e paralajmëruar për shtyp në orën 16:00 të ditës së sotme, ku foli mbi shumë aspekte të ndërtimit dhe përforcimit të skuadrës. Trajneri komentoi edhe merkaton, ndërsa tha se Interi që po ndërtohet, do të jetë çdo vit e më i bukur.

Sport

24/05/2018 18:22

Cili është komenti juaj për këtë sezon të parë si trajner i Interit?
“Falënderoj të gjithë shoqërinë që më dha mundësinë të drejtoj Interin dhe të përjetoj këto emocione të këtij sezoni. Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët dhe futbollistët e mi, që bënë një sezon për t’u mbajtur mend. Kemi pasur momente fantastike, si ndeshjet direkte ndaj Juventusit, Napolit e Romës, por edhe të tjera ku kemi shkëlqyer më pak, por në fund ia dolëm të arrijmë objektivin tonë. Seria A është përforcuar ndjeshëm dhe kjo u pa edhe me garën për një vend në zonën Champions, ku Lazio e meritonte po aq sa ne t’ia dilte. Edhe rikthimi i Ancelottit në Serinë A, është një dëshmi e rritjes së këtij kampionati.

Cili ka qenë momenti më i mirë dhe ai më i keq?
Momentet e bukura kanë qenë shumë, por nëse do të më duhej të zgjidhja një, është ndeshja e humbur ndaj Juventusit. Një paraqitje e jashtëzakonshme e skuadrës time, përballë një kundërshtari jashtëzakonisht të fortë. Momenti më i keq ishte humbja e Davide Astorit.

Çfarë duhet të bëjë shoqëria, për të qenë konkurrues?
Synimet tona kanë qenë dhe mbeten për t’u përforcuar nga sezoni në sezon dhe atë do të synojmë të bëjmë edhe tani. Shoqëria ka filluar që tani punën me merkaton, duke bërë tashmë 3 afrime, ndërsa po punohet edhe për shumë të tjerë. Kemi pak keqardhje që nuk mund të blejmë për momentin as Rafinhën dhe as Cancelon. Kemi disa bilance ekonomike për të respektuar deri në fund të muajit qershor dhe më pas, nëse do të ekzistojë mundësia, do t’i afrojmë që të dy. Natyrisht që dëshira e të gjithëve ishte që t’i kishim pjesë të skuadrës, për atë që kanë dhënë në fushën e lojës, veçanërisht në pjesën e dytë të sezonit, duke u kthyer në pika referimi, por këto janë kushtet.

Për një Inter më të fortë, mendoni se duhet konfirmuar Icardi?
Ai është kapiteni dhe lideri ynë, teksa edhe këtë sezon mori për dore skuadrën me golat e shumtë. Të gjithë ia njohim vlerat dhe atë që ka dhënë për këtë fanellë, ndaj do të donim shumë që ta mbanim në skuadër. Gjithsesi duhet parë edhe dëshira e tij, pasi do të ishte tërësisht e pamundur për të mbajtur në skuadër një lojtar që nuk ka më dëshirë dhe stimuj. Besoj se këto do të jenë elementët që do të vendosin të ardhmen e Mauros, por në ditët në vijim shoqëria dhe kapiteni do të bisedojnë për këtë çështje.