Sovërliq ende në arrati, pa gjurmë

Ende nuk ka ndonjë rezultat konkret me gjurmimet për të arratisurin Sllobodan Sovërliq, që nga koha kur një turmë qytetarësh serbë, me dhunë e kishin liruar nga një stacion policor në veri të Kosovës.

Lajme

19/03/2014 17:11

S’ka gjurmë nga Policia e Kosovës të cilat mund të tregojnë se ku është i arratisuri Sllobodan Sovërliq. Ky i fundit ka mbetur ende në arrati qysh nga dita kur e liruan nga një stacion policor në veri të Kosovës.

Sovërliq, ishte i arrestuar për një kërcënim dhe prishje të rendit publik.

Zëvendëskomandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka theksuar se “hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, por ende nuk ka rezultate konkrete”.

Megjithatë sipas tij, “ndaj pjesëtarëve të caktuar të policisë së Kosovës, janë ngritur masat disiplinore, ndërkaq  ndaj dy qytetarëve serbë, që ishin pjesë e turmës, e cila e liroi Sovërliqin, prokurori publik  ka hapur raste për vepra penale për mundësim të arratisjes së personit të arrestuar”.

Lidhur me këtë incident, zëvendëskomandanti i stacionit policor në Zubin Potok u suspendua përkohësisht, çka edhe shkaktoi protestën e serbëve lokal, të cilët patën bllokuar rrugën Mitrovicë – Ribariq.

Masa e suspendimit është hequr dy ditë më parë dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Zubin Potok, është kthyer në vendin e punës.

(Evropa e Lirë)