Sot testi i LDK-së para AMERIKËS

Ambasadori amerikan, Greg Delawie, sot (e martë), bashkë me kryeministrin Isa Mustafa do t’i takojë të gjithë deputetët e LDK-së në zyrën e Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Lajme

09/05/2017 00:06

Takimi fillon në ora 11.

Ky takim shihet se shpresa e fundit për kalimin e demarkacionit dhe mbijetesën e Qeverisë Mustafa para mocionit të votëbesimit dhe “votëbesimit” të PDK-së si partner i koalicionit.

Kryeministri Mustafa i cili është edhe kryetar i LDK-së ka thënë të hënën se demarkacioni do të shkojë në Kuvend për ratifikim pas të mërkurës, ditës kur në Kuvendin e Kosovës do të votohet për mocionin e opozitës për t’i dhënë ose jo besimin qeverisë, shkruan lajmi.net.

Ky vendim është parë më shumë si taktizim i Mustafës dhe LDK-së karshi PDK-së e cila është e “nxehtë” që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por “pa pasoja për veten”.

Tashmë të dyja partitë, si PDK ashtu edhe LDK, thonë se deputetët e tyre janë të gatshëm të votojnë për demarkacionin, megjithëse në të dyja taborret ka deputetë që haptas e kanë kundërshtuar demarkacionin. Ky numër i kundërshtarëve më i madh është në GP të LDK-së. /Lajmi.net/