Sot protesta e opozitës në Tiranë, Berisha heq dorë nga fjalimi

Me ane te nje njoftimi ne faqen e saj te internetit Ambasada e Shteteve te Bashkuara te Amerikes ne Tirane, i ben thirrje te gjithe qytetareve te saj te tregohen te kujdesshem gjate protestet qe pritet te zhvillohet diten e sotme nga Partia Demokratike.

Lajme

20/02/2014 09:06

Partia Demokratike, përveç protestës ndaj keqqeverisjes nga ajo që i cilëson si dyshja Rama-Meta, me protestën e sotme që përkon me 23-vjetorin e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, synon të testojë edhe mbështetjen e elektoratit të saj.

Kështu, për të realizuar një pjesëmarrje sa më masive në sheshin “Skënderbej” në orën 14:00, PD-ja ka marrë përsipër edhe udhëtimin falas të të gjithë militantëve dhe simpatizantëve të saj nga të gjithë qytetet e vendit. Për këtë arsye me dhjetëra autobusë të mbushur me simpatizantë e militantë të Partisë Demokratike, por edhe me punonjës të administratave vendore që drejtohen nga të djathtët, në mënyrë të organizuar nga të gjitha qytetet e vendit pritet që të mbërrijnë deri në mesditën e sotme në Tiranë.

Organizimi

Të gjithë degët e PD-së në rrethe janë urdhëruar që të organizojnë udhëtimin e protestuesve, i cili është përllogaritur sipas distancave të qyteteve me Tiranën. Në qytetet kryesore do të ketë autobusë, të cilët do të kontraktohen për një ditë dhe që orari i nisjes së tyre është caktuar ora 10:00-11:00, sipas kohëzgjatjes së udhëtimit të këtyre mjeteve drejt kryeqytetit dhe vendnisja e këtyre autobusëve janë caktuar qendrat e qyteteve. “Të gjithë ata që dëshirojnë të jenë nesër në Tiranë në marshimin më të madh të opozitës në përkujtimin të 20 shkurtit ju bëjmë me dije se: Në sheshin qendror të qytetit nga ora 11 do të nisen autobusë. Duke pasur parasysh se çdo orë ka me qindra që kanë pohuar pjesëmarrjen dhe mund të kenë të pamundur transportin, PD- Dega Fier bashkë me strukturat e saj po bën përpjekje maksimale për të realizuar qëllimet tuaja”, thuhet në njoftimin e degës së PD-së në Fier. Sa i përket organizimit të pjesëmarrësve nga zonat e thella, udhëtimi i tyre është parashikuar të bëhet me furgonë, por është e paqartë nëse këto mjete do të përplasen me Policinë e Shtetit gjatë udhëtimit, pasi me urdhrin e ri, asnjë furgon i cili nuk është i licencuar, nuk mund të transportojë udhëtarë. Por duket se organizatorët do të shfrytëzojnë pikërisht shoferët e furgonëve, të cilët protestën e tyre në rrethe do ta zhvillojnë nesër në Tiranë.

Marshimi drejt Kryeministrisë 

Nisur nga masat e marra nga Policia e Shtetit, e cila njoftoi se të gjitha akset rrugore që të shpien drejt qendrës dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë të bllokuara për arsye sigurie, vendqëndrimi për autobusët e ardhur nga juglindja e vendit do të jetë te shesh-parkimi afër Fakultetit Ekonomik, si dhe stadiumi “Qemal Stafa”, ndërsa mjetet me protestues nga rrethet e veriut, do të ndalojnë te kryqëzimi i Zogut të Zi, afër pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Të gjithë ata që do të vijnë nga jugperëndimi do të ndalojnë në zonën e Tiranës së Re, afër zonës që njihet si “Pallati me Shigjeta” dhe më pas do të ngjiten në këmbë drejt Rrugës së Kavajës. Në protestën e sotme, pritet që turma të ketë si drejtim final pikërisht bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe do të ndalojë përballë godinës së Këshillit të Ministrave. Nga burime zyrtare në PD, mësohet se protesta pritet që të nisë zyrtarisht në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbej”, aty ku para vitit 1990, ka qenë i vendosur busti i Enver Hoxhës. Pas grumbullimit, mbështetësit e opozitës do të kalojnë përballë Parlamentit për të marrë më pas drejtimin për nga bulevardi “Zhan D’Ark”. Në këtë moment parashikohet që me turmën të bashkohen edhe një sërë protestuesish të mbledhur nga juglindja dhe te selia e PD-së. Skenari përcakton këtë moment për deputetët apo drejtuesit e lartë të kësaj force që do t’i bashkohen turmës. Pasi të arrijnë tek ura e madhe në Bulevard, protestuesit do t’i drejtohen godinës së Këshillit të Ministrave, ku priten që të mbajnë fjalën edhe drejtues të lartë të PD-së, si kryetari Lulzim Basha dhe me shumë mundësi ish-kryeministri Sali Berisha.

Basha e Berisha: Rama të mos provokojë 

Në një bashkëbisedim me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se opozita do të ndërthurë të gjithë format e qëndrimit demokratik kundër qeverisë, por nga ana tjetër mohoi të jetë parashikuar ndonjë skenar dhune në protestën e sotme kundër qeverisë. Sipas tij, PD-ja nuk synon që protestën e 20 shkurtit ta shndërrojë në skenar ukrainas, por nuk harroi të paralajmërojë pasardhësin e tij, Edi Rama që të mos provokojë, sepse do të bëhet personalisht përgjegjës, gjatë protestës opozitare. “Opozita nuk shkon për dhunë. Ne jemi forcë politike demokratike dhe u përmbahemi rregullave. Por, nëse Rama provokon, bën gabimin më të madh”, tha Berisha. Ndërsa pasardhësi i tij në krye të PD-së, Lulzim Basha, u bëri dje apel militantëve dhe ndjekësve të tij në Facebook që të bëjnë kujdes nga provokimet e ndryshme që mund të bëhen në protestën e sotme. “Ju bëj thirrje për protestë paqësore dhe kulturore, në mënyrë që mos të biem pre e ndonjë provokimi nga askush dhe asnjë”, shkruan kreu i PD-së në postimin e tij në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.

Ambasada e SHBA-së: Qytetarët amerikanë të shmangin zonat e protestës.

Me ane te nje njoftimi ne faqen e saj te internetit Ambasada e Shteteve te Bashkuara te Amerikes ne Tirane, i ben thirrje te gjithe qytetareve te saj te tregohen te kujdesshem gjate protestet qe pritet te zhvillohet diten e sotme nga Partia Demokratike ne kryeqytet.

“Ambasada kujton qytetaret amerikanë se edhe pse protesta eshte paralajmeruar te jete e qete, ajo mund te shnderrohet ne proteste konfrontuese. Shmangni zonat e protestes dhe tregoni kujdes nese gjendeni ne afersi te tyre. Protestat mund bllokojne te gjitha arterjet kryesore te qytetit, por atp mund te perhapen edhe ne qytete te tjera. Rishikoni planet tuaja te sigurise personale, qendroni te kujdesshem ne vendbanimin tuaj dhe monitoroni lajmet per perditesimet me te fundit. Mbani një nivel të lartë të vigjilencës dhe merrin hapat e duhura për të rritur sigurinë tuaj personale dhe të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale” – mbyllet njoftimi i Ambasades Amerikane. / Top Channel