Sot në orën 18:00 hapet Panairi i Librit “Prishtina 2017”

Sot duke filluar nga ora 18:00 në Prishtinë do të hapet edicioni i 19-të i panairit të librit “Prishtina 2017”, ku do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe diaspora.

ShowBiz

06/06/2017 14:34

Sipas organizatorëve do të prezantohet rreth 1300 tituj të rijnë dhe do të shënohen një varg aktivitetesh.

Siç ka njoftuar Shoqata e Botuesve të Kosovës në prag të jubileut të 20-të, do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore:

– 600-vjetori i lindjes së Pal Engjëllit
– 300-vjetori i lindjes së Françesk Avatit
– 220-vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit
– 160-vjetori i lindjes së Visar Dodanit
– 150-vjetori i lindjes së Mati Logorecit
– 120-vjetori i lindjes së Shime Deshpalit
– 110-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit
– 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit
– 100-vjetori i lindjes së Sotir Cacit
– 100-vjetori i lindjes së Ndue Bytyçit
– 100-vjetori i lindjes së Heinrich Böll
– 100-vjetori i lindjes së Sidney Sheldon
– 100-vjetori i lindjes së Robert Loëell
– 100-vjetori i lindjes së Huan Rulfo
– 80-vjetori i lindjes së Anton Pashkut
– 80-vjetori i lindjes së Ali Sutajt
– 30-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit

“Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. SHBK-ja ka paraparë informimin e çdoditshëm të vizitorëve, mediave, botuesve me informatorin e shtypur dhe dixhital, përmes faqes www.panairilibrit.com .”, njofton SHBK

Shoqata e Botuesve të Kosovës po ashtu ka paraparë darkën solemne më 8 qershor në hotel Prishtina, ku do të nderohen me trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë speciale, librat më të mirë në:

– Prozë
– Poezi
– Kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë
– Përkthim letrar
– Projektin kapital

si dhe shpallet:

– Shkrimtari i vitit (letërsi shqipe)
– Shkrimtari i vitit (letërsi e huaj)
– Stenda më e vizituar

Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj. Ky panair do të jetë i hapur për vizitorë prej orës 09:00 deri në orën 20:00.