Sot në Anamoravë, nesër në Leposaviq

Ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin, do ta kalojë këtë vikend nëpër vendbanimet e serbëve në Kosovë.

Lajme

28/09/2013 10:45

Ministri pa Portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin do t’i vizitojë të shtunën disa vendbanime të serbëve në rajonin e Anamoravës. Ai do të fillojë me Ranillugun ku do të takohet me kandidatët për kryetarë të komunave, bartës të listave për këshilltarë komunalë dhe përfaqësues të organeve të përkohshme komunale të mbështetura nga Beogradi.

Pas Ranillugut, Vulin do të shkojë në Kufcë të Epërme dhe Pasjan ku do të takohet me banorët serbë të këtyre fshatrave dhe më vonë në Partesh ku do ta vizitojë kishën e fshatit.

Turi i Vulin do të vazhdojë me Kllokotin, ndërsa vizitën në Anamoravë do ta përfundojë në fshatin Shillovë ku do të mbajë një takim me banorë në shtëpinë e kulturës. Në këtë takim ai pritet të flasë për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe  dhe domethënien e këtij organi për komunitetin serb të Kosovës.

Të dielën, Vulin do të shkojë në veri të Kosovës. Në Leposaviq ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me 14 komuna për shpërndarjen e mjeteve lëvizëse, të prodhimit dhe shërbimeve për zhvillim të bujqësisë të financuara nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovë dhe Metohi e Qeverisë së Serbisë.

Në këtë ceremoni pritet të marrë pjesë edhe një delegacion i komunës së Novi Sadit i kryesuar nga kryetari Milos Vucevic i cili do t’i dhurojë katër kamionë dhe lëndë djegëse si donacion.