Sot mot i freskët e me shi, nga e marta më ngrohtë

Pas ditëve me vapë afrikane, gjatë ditës së sotme mbi vendin tonë pritet të depërtojë një turbullirë nga Atlantiku me masa të ftohta ajrore, që në orët e pasdites dhe mbrëmjes do të sjellin kushte për reshje lokale shiu me bubullima.

Lajme

03/07/2017 08:13

Vende-vende reshjet mund të jenë më intenzive, e nuk përjashtohet mundësia edhe për breshër.
Të hënën e parë, të muajit korrik, pritet të mbajë mot i freskët, kryesisht me vransira, vende-vende me reshje lokale shiu dhe mundësi për bubullimë.

Nga dita e martë fusha me presion të lartë do të shtrihen mbi rajon dhe do të sjellin përmirësim të motit, me intervale më të gjata me diell dhe mot të ngrohtë.

Temperaturat minimale do të sillen nga 10C deri në 14C, e maksimalet nga 19C, që pritet të zbresin nesër, gradualisht do të rriten deri në 30C, ditën e premte.

Do të fryejë erë mesatarisht e fuqishme nga veriperëndimi-veriu 4-11m/s.
Shtypja atmosferike gradualisht do të rritet mbi vlera normale.