Sot është dita juaj, ose më demantoni!

Lindje-Perëndim apo Perëndim-Lindje, sot është dita kur liderët tanë “të çmuar” do të më bindin se duhet t’i heq thonjëzat.

Opinion

18/09/2014 11:18

Sot, partitë politike të cilat jo rrallë pasluftës u shndërruan në klane interesi, duhet të na dëshmojnë se nuk udhëhiqen nga profiterë dhe injorantë, nga njerëz të dyshimtë, të cilët për interesa personale janë në gjendje të na çojnë drejt greminës.

Sot, partitë politike, në seancën konstituive të Kuvendit, duhet të na dëshmojnë se ka ende shpresë për këtë vend, se jemi demokraci e re me të meta, porse nuk kemi arsye të mendojmë të ikim sa më larg shtëpisë sonë, të cilën menjëherë pas çlirimit e kishim menduar shumë më ndryshe nga kjo që po e ndërtojmë.

Pra, sot, partitë politike duhet të na dëshmojnë se nuk janë grupime të paprofilizuara, të cilat një muaj para zgjedhjeve bëjnë vetëm propagandë, me skripta të mbushura përplot premtime të rreme, të shndërruar në plan-programe qeverisëse, dhe pastaj njëjtë sikurse edhe para njëqind e ca vjetësh, bëjnë “pazare” në dëm të vendit,  disa me sulltanin e të tjerë me krajlin.

Pra, sot, partitë politike të cilat nuk dallojnë shumë nga njëra tjetra, sepse këtu jemi dhe i njohim mirë, duhet të na dëshmojnë se Kosova është vendi ynë, vendi i të gjithë qytetarëve të saj, porse nuk do të jetë e varur nga njerëz që për inate dhe interesa personale janë në gjendje t’ia lënë frenat në dorë edhe Listës Serbe.

Sot, liderët tanë duhet të na dëshmojnë se nuk i mundon bajraktarizmi, se partitë që ata drejtojnë nuk janë ashtu si ne mendojmë, grupime e klane profiterësh e injorantësh, që përpara interesit kombëtar në gjak e kanë korrupsionin dhe inatin.

Sot është dita kur liderët tanë duhet të na dëshmojnë se Kosova është e gatshme të përqafojë vlerat demokratike Perëndimore jo vetëm në letër, se kultura jonë, jo vetëm politike, është ndryshe nga ajo që gumëzhiu një ditë më parë, e që dukeshim si në Lindje.

Sot, liderët tanë e kanë rastin të na demantojnë, të na bindin se respektojnë të kaluarën prej kohës së Gjergj Katriotit e deri të Adem Jashari, dhe se para së gjithash ata e duan Kosovën, të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Sepse, sa për dijeni, kushdo që të arrijë ta bëjë qeverinë, cilido, legjitimiteti i saj është vyshkur aq shumë, ende pa u formuar, sa nuk meriton mandat katërvjeçar.

Prandaj, sot, PDK le ta “merr” Kuvendin, nesër blloku le ta “merr” qeverinë, ashtu siç e thotë Kushtetuesja, ndërsa pasnesër të punojnë së bashku në reformën zgjedhore, amandamentimin e Kushtetutës dhe të ofrojnë mundësi për zgjedhje të reja, përpara se populli të ngrihet që t’i kërkojë ato.

Unë vërtetë do të dëshiroja të më demantojnë!