Sot dita më e nxehtë e javës, si po e përballojnë atë qytetarët (Video)

Pas një kohe me temperatura të ulëta për stinën në të cilën jemi, ditëve të fundit vendi ynë është përfshirë nga temperatura shumë të larta. Por, ato gjatë fundit të këtij muaji mund të jenë edhe më të larta se sa sot.

Lajme

08/07/2015 16:01

YouTube player

Ndonëse temperaturat sot kanë arritur në pikën më të lartë gjatë këtij viti, shumë qytetarë prishtinas, nuk kanë hezituar të frekuentojnë sheshet e kryeqytetit, ku i nxehti thuajse dyfishohet, shkaku i betonit gjithandej.

Madje, kishte nga ata qytetarë që thonë se as që po e ndiejnë vapën e madhe që po mbizotëron.

Moti/Prishtinë

“Shumë mirë është, tash po e dimë verën që është verë, se deri tash ka qenë goxha ftoftë koha”, u shpreh një qytetarë.

Për temperaturat e larta, ka folur për lajmi.net edhe profesori i meteorologjisë në Universitetin e Prishtinës, Sylë Tahirsylaj.

Ai theksoi se sot është dita më e nxehtë e kësaj jave, mirëpo sipas tij kjo nuk do të jetë dita e fundit më e nxehtë për këtë muaj.

“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore  të nxehta të cilat vinë nga pjesa e Afrikës Veriore, këto masa kanë shprehur veprimin e tyre në gjithë rajonin por edhe në vendin tonë, prandaj sot është dita më e nxehtë e kësaj jave por kjo nuk do të jetë dita e fundit si më e nxehta”, tha Tahirsylaj.

Moti/Prishtinë

Ai tha se temperatura më e lartë sot po shënohet në Prizren, me 34 gradë, por deri në fund të muajit mund të kemi temperatura që shkojnë deri në 38 gradë, edhe pse sipas tij, Kosovën e mbrojnë Malet e Sharrit, duke mos lejuar depërtimin e temperaturave të larta.

“Më e larta gjatë këtij muaji mund të jetë deri në 38 gradë celsius, në Prizren. Kosova ka një specifikë të veçantë, pasi Malet e Sharrit nuk e lejojnë që të depërtojnë masat ajrore të nxehta, depërtimi i saj është i pamundshëm”, tha Tahirsylaj.

Sipas profesor Tahirsylajt, do të ketë thatësira por jo aq të theksuara meqenëse, siç tha ai, ka pasur reshje gjatë këtij viti dhe liqenet janë të mbushur përplot. /lajmi.net