Sot dita e taksistëve, në Kosovë feston vetëm një grua (Foto)

Një punë jo shumë e vështirë, atraktive dhe jo shumë e lodhshme, edhe pse nuk është punë vetëm për burra, në vendin tonë këtë profesion e ushtrojnë vetëm ata.

Lajme

22/03/2016 10:59

Pak gra në Kosovë punojnë taksiste e mund të themi edhe fare.

Ndër to ka qenë një grua e quajtur ‘Like’ e cila ka ushtruar këtë profesion rreth dy vite me veturën e saj Golf 2. Ajo iu shërbente udhëtarëve Prishtinë-Podujevë dhe anasjelltas. Por ka dy vite që ajo e ka lënë këtë profesion për arsye personale, raporton lajmi.net

Taksisti E.Vuthaj i cili ka punuar me të ka thënë : “E zonja ka qenë. E sjellshme, e sinqertë”.

“Ka punuar në mesin tonë dy vite. Jemi munduar me u sjellë sikur me një motër tonë. Ajo u sjellë ndoshta edhe më mirë me ne”, thotë ai.

Aktualisht në Kosovë dihet vetëm për një grua taksiste, ajo është në Gjilan dhe punon me veturën e saj private.

Ajo është Vlora Veseli, e cila ka mbështetjen e familjes në ushtrimin e këtij profesioni, por jo rrallë është paragjykuar nga të tjerët.

Kolegët tjerë taksistë që ka ajo, thonë se kanë mirëpritur vendimin e koleges për t’u bërë taksiste, pasi që kjo ndodhë edhe në perëndim.

Besim Pireva nga kompania Golden Taxi, ka thënë për lajmi.net se aktualisht nuk ka asnjë femër taksiste.

Ai ka thënë se deri tani ka pasur kërkesa për punë nëpërmjet aplikacioneve rreth 4 femra, megjithatë ato nuk janë paraqitur asnjëherë.

Para dy vitesh në këtë kompani është punësuar vetëm një femër e cila për një kohë të shkurtër ka ndërprerë punën e saj, e kjo për arsye se ajo ka pas probleme me gjetjen e lokacioneve.

Në Kosovë ende shumë profesione mendohet të jenë të ‘rezervuara’ vetëm për meshkujt. Ndër to mbetet edhe profesioni i taksistit.

Sociologia Linda Gusia thekson se ekziston një paragjykim në këtë aspekt.

“Tradicionalisht posti i taksistit është i burrave. Është njëfarë paragjykimi që gratë nuk janë shumë të kujdesshme në vozitje, edhe pse statistikat e tregojnë të kundërtën. Por, puna e taksistit është edhe punë me rrezik. Megjithatë, në çdo profesion që dominojnë burrat është vështirë me e thy tabunë. Duhet guxim për me i sfidu. Mendoj që së shpejti do të ketë gra taksiste edhe në Kosovë”, thotë ajo pë lajmi.net

22 Marsi njihet si Dita Botërore e Taksistëve. Ky profesion mbetët sfidues për gratë në shumë vende të botës. Në Kosovë kjo ditë i gjen kompanitë e taksive pa ndonjë grua taksiste./Lajmi.net

Vlora Veseli e vetmja grua taksiste për të cilën dihet në Kosovë.

Vlora-Veseli-650x358