Sot dita e qumështit, nuk shënohet në Kosovë

Sot përveç që është Dita ndërkombëtare e fëmijëve, është edhe ajo e Qumështit, megjithatë jo të dyja do të shënohen në Prishtinë.

Lajme

01/06/2016 08:20

Dita ndërkombëtare e Qumështit është shënuar çdo vit, pasi sasia e tij çdo vit e më shumë ka rritje, shkruan lajmi.net.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit Milazim Berisha tha për lajmi.net se mbështetjen nga Ministria e Bujqësisë e marrin kryesisht fermerët për t’i zgjeruar kapacitetet, për të blerë pajisje dhe përkrahje për cilësinë e qumështit.

“Është shoqata e implementuesve të qumështit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencionit për Ushqim dhe Veterinari, gjithashtu nga komisioni Evropian që ndihmojnë shumë për cilësinë e qumështit”, tha Berisha.

Njëkohësisht edhe pronar i fermës “Eurolona”, ai tha se edhe pas mbështetjes që e marrin, përsëri ballafaqohen me probleme të ndryshme.

“Kemi konkurrencë të madhe prej importit, kemi probleme pjesëmarrjeje në treg dhe probleme të përditshmërisë me qasje në kredi, por për më tepër kërkojmë më shumë mbështetje nga Qeveria”, shtoi ai.

Këtë vit edhe pse ka ngritje të cilësisë dhe sasisë, Berisha tha se ndryshe prej herëve tjera këtë vit nuk do të ketë ndonjë organizim.

“Nuk do të ketë këtë herë organizim për Ditën Ndërkombëtare të Qumështit, nuk kemi marrë leje nga Komuna e Prishtinës për t’i ekspozuar produktet tona dhe për të vazhduar fushatën që kemi pasur çdo vit”, tha ai.

Siç duket, këtë vit, pronarët dhe shoqatat e qumështit nuk arritën të organizojnë një mbledhje ku do t’i ekspozonin produktet e tyre, ashtu siç bënë vitet e mëparshme.

Ndryshe, qumështi në vendi tonë përpos si produkt i pastër paraqite edhe në 19-të produkte tjera të qumështit, ndër të cilat produkte kryesore janë: qumështi, jogurti, kosi, djathi i bardhë dhe kaçkavalli.

Kostoja e prodhimit të qumështit në Kosovë është e lartë (2008) sipas kostos të lartë të furnizimit (70-80% e kostos totale në prodhimin e qumështit) dhe bagëtia janë zakonisht në stalla e më rrallë kullosin në livadhe.

Mesatarja e çmimit me pakicë është 0.64 E/litër.

Konsumimi i qumështit në Kosovë llogaritet të jetë 170 litra për person brenda vitit, kërkesat e tregut janë 339,500 ton, prodhimi total vendor llogaritet të jetë 257,500 ton/vit ose 76% nga kërkesat e totale

Sa i përket importit, është 24% nga konsumimi (djathë dhe qumësht afatgjatë nga Bullgaria, Sllovenia dhe Turqia)/Lajmi.net