SOS Fshatrat e Fëmijëve mbledhin donacione nga mbrëmja humanitare

SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës ka organizuar sonte mbrëmjen humanitare “Unë jap shpresë” me qëllim të mbledhjes së fondeve për fëmijët e braktisur dhe pa përkujdesje prindërore qe shtëpinë dhe ngrohtësinë familjare e kanë gjetur pranë SOS Fshatrave të Fëmijëve.

Lajme

01/10/2015 23:05

Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin shumë përfaqësues të kompanive kosovare, institucionet, partitë politike si dhe të gjithë ata persona që tashmë janë miq të Sos-fshatrave të fëmijëve, të cilët kanë mundur të japin kontributin e tyre për këtë mbrëmje.

Të gjitha mjetet e mbledhura gjatë kësaj mbrëmje dedikohen për mirëqenien e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, të braktisur dhe nevojtarë të vendosur në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.

Mbledhja e Fondeve për këtë mbrëmje u bë përmes shitjes së biletave, si dhe përmes ofrimit të pakove të sponsorizimit për kompanitë, pako këto të cilat mbulojnë nevojat 1-vjeçare të ushqimit, veshmbathjes, edukimit, shëndetit etj për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe të braktisur të arrij që së paku t’i përafrohet mbledhjes së fondeve të nevojshme për këtë vit.

Përveç të pranishmëve, për të dhurua r fonde kanë pasur mundësi edhe të gjithë qytetarët e interesuar.

Drejtoresha Nacionale e SOS Fshatrat e Fëmijëve, Nezahate Ramadani Salihu, falënderoi të gjithë të pranishmit për ndihmën që ata po e dhënë për këta fëmijë. Ajo shtoi se kanë nevojë për ndihmën institucionale, ndihmë kjo që deri më tani ka qenë mjaftë e vogël.

“Ne e dimë që vet nuk mund ta bëjmë, ne e dimë që për këtë kemi nevojë për përkrahjen e të gjithëve,kemi nevojë për përkrahjen institucionale që më vije keq që deri më tani shumë pak kemi, por shpresoj që një ditë edhe institucionet tona do të fokusohen në mirëqenie dhe jo vetëm në infrastrukturë siç ka bërë deri tash. Përveç institucioneve besoj që do të gjejmë përkrahjen ed he të kompanive dhe bizneseve tona. Ne e dimë që çdo fëmijë ka ëndrrat e tyre dhe ka shpresat të mëdha dhe ju lus që të gjithë të kontribuojnë që ëndrrat që këta fëmijë i kanë t’i ndihmojmë t’i realizojnë”, tha Ramadani-Salihu.

Edhe kryesuesja e Bordit të SOS Fshatrave të Fëmijëve falënderoi të pranishmit në këtë mbrëmje, po ashtu falënderoi edhe gjithë stafin që kujdesen çdo ditë për këta fëmijë dhe u ofrojnë dashuri.

“Kjo nuk është një mbrëmje e thjeshtë e bamirësisë, kjo është një mbrëmje ku ne mbledhim fonde për grupin më të brishtë të shoqërisë sonë, për fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijë të cilët kanë nevojë për përkr ahje dhe për dashuri. Njëkohësisht falënderoj sos-nënat, sos-tezet, stafin e palodhshëm të SOS-Fshatrave të Fëmijëve, të cilët përpos punës së palodhshme që e bëjnë, ju ofrojnë fëmijëve një dashuri të papërshkrueshme”, tha Gashi.

Kjo organizatë për të kompletuar fondin e nevojshëm për një vit ka nevojë që gjatë kësaj mbrëmjeje të mbledhë 187 mijë euro.

Mirëpo, përgjegjësja e mbledhjes së fondeve në SOS fshatrat e fëmijëve të Kosovës, Albana Zogu-Morina, tha se ata nuk presin që gjatë kësaj mbrëmjeje të mbledhin një shumë të tillë, por synojnë që t’i afrohen asaj.

“Ne si organizatë, diku rreth 80 % të fondeve i kemi të mbuluara ng a sos fshatrat e fëmijëve në Norvegji, megjithatë është një 20 %, vlera e të cilit ka afër 187 mijë euro, të cilën ne duhet ta nxjerrim në vend. Natyrisht që nuk presim nga kjo mbrëmje që të nxjerrim 187 mijë euro, për shkak se kemi edhe fushata të tjera që organizojmë për mbledhjen e fondeve, por presim që sado pak t’i përafrohemi vlerës së nevojshme”, tha Zogu-Morina.

Gjatë kësaj mbrëmje u zgjodh edhe donatori i vitit, me ç’rast “Meridian Coporation” iu nda një medalje si donatori i cili ka dhuruar më së shumti mjete gjatë këtij viti për këta fëmijë, në vlerë prej 16 mijë euro.

Ndërsa, mirënjohje mori edhe Muzeu i Kosovës, të cilët përmes shitjes “Hyjnesha në Fron”, kanë dhuruar 2 mijë euro për këto fshatra.

Aktualisht SOS Fshatrat e Fëmijëve përmes programit të tyre ofrojnë strehim dhe përkujdesje afatshkurtër dhe afatgjate për 74 fëmijë të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore./KP